Nga Alfred Peza/

Publikimi i fotove të të vdekurve nga pandemia në morgun e Tiranë, përmes një ekzaltimi propogandistik a thua se sapo e kishin shpikur edhe shqiptarët vaksinën anti covid-19, shënoi një kulm të ri opozitar. Një kulm prej nga ku, nuk ka më asnjë enigmë për mënyrën sesi duan që tu imponohen qytetarëve, për të rikthyer në pushtet.

Loja makabre për të përhapur përmes kësaj qasje, terror publik me qëllim nxitjen e protestave popullore, është shndërruar tashmë në një filozofi opozitare. E tentuan këtë, përmes djegies artificiale të mandateve të deputetëve të tyre, duke besuar kësisoj tek “revolucioni” imagjinar i molotovëve. E tentuan këtë, përmes përhapjes së lajmeve me tërmete apokaliptike duke caktuar jo vetëm mëdhësinë e saj, por edhe orën, minutën dhe sekondat se kur do të na çonte në botën tjetër.

Ndërsa tani, për të shmangur presionin publik mbi Lulzim Bashën për zbardhjen e të vërtetës rreth rolit të tij në misionin ndërkombëtar faktmbledhës për krimet në Kosovë, shpikën fillimisht qindra të vdekur nga pandemia të padeklaruar nga autoritetet. Për ta forcuar këtë mesazh më pas, me foto makabre kufomash nga morgu i spitaleve të Tiranës. Ndërkohë që përmes rrjeteve sociale, nisën ti bënin thirrje qytetarëve që të ngrihen për të shpëtuar Lulin!

Si edhe më parë as këtë radhë, nuk presin që të shkojnë në zgjedhje, por e duan pushtetin dhuratë nga shqiptarët si shpërblim për terrorin që po tentojnë tu imponojnë. Ashtu siç e donin pushtetin edhe më parë, si dhuratë nga “Babale”-t e prodhuara nga SHQUP. Siç e donin duke hyrë në çadrën e bulevardit më 2017. E ashtu siç e donin duke bojkotuar zgjedhjet lokale në 2019. Sepse e kanë të qartë se nuk e fitojnë dot me vota, ndaj i falen çdo ditë, kësaj filozofie të tyre.

Është kjo filozofi e liderëve politikë të opozitës sonë, që e ka degraduar alternativën e tyre elektorale, për tu rikthyer në pushtet; jo përmes jetës, por përmes vdekjes. Jo përmes shpresës, por përmes terrorrit. Jo përmes gëzimit, por përmes dhimbjes. Jo përmes shëndetit, por përmes kufomave. Jo përmes programeve që sjellin optimizimin për të ardhmen, por vetëm përmes panikut. Jo përmes ëndrrave, por përmes frikës.

Qëkur ka lindur lufta për pushtet në historinë e njerëzimit, udhëheqësit politikë, partitë dhe aleancat e tyre kanë vetëm dy alternative për të përqafuar: Ose ti imponohen popullit përmes forcës së moralit, ose përmes moralit të forcës! Nuk ka më asnjë dyshim që Lulzim Basha, Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Ilir Meta dhe aleatët e tyre të tjerë opozitarë, po kërkojnë që ti imponohen shqiptarëve, vetëm përmes moralit të forcës e materializuar tek filozofia e tyre e frikës.

Lulzim Basha nga njëra anë sheh ëndrra natë e ditë sesi do bëhet Kryeministër, e nga ana tjetër as që e ka marë ndonjëherë mundimin të shkruajë e ti paraqesë shqiptarëve një program politik. Një program elektoral. Një platformë qeverisëse. Një alternativë ndryshe pushteti, nga ajo e mazhorancës socialiste të Kryeministrit Edi Rama. A e dini pse? Sepse, edhe po të dojë, ai nuk di. Por, edhe nëse di, ai përton. Ndaj, i bie shkurt, si gjithë të singjashmit e vet: Gënjen!

E meqë gënjeshtër pas çdo gënjeshtre, i duhet një tjetër gjithnjë e më e madhe akoma për ta harruar të parën, ka mbërritur deri në këtë pikë pas 7 vjetësh dështim pas dështimi. Jemi në momentin kur pozitës sonë, e vetmja alternativë që i ka mbetur për tu ofruar shqiptarëve, është përhapja e panderprerë e terrorit publik përmes fake news-eve dhe kufomave.

Dikush duhet ti thotë Lulzim Bashës se në botën demokratike, arti i gënjeshtrës dhe filozofia e terrorit as kanë qenë, as janë dhe as kanë për të qenë ndonjëherë praktika fituese në asnjë palë zgjedhje të asnjë shteti të botës. E aq më pak, mund ta çojnë drejt pushtetit, një opozitë e cila ende nuk ka kërkuar fjalje dhe nuk është distancuar qartë dhe prerë publikisht, po nga kjo filozofi që e çoi njëherë vendin tek ngjarjet “vitit të mbrapshtë” 1997.

Nëse Lulzim Basha do që të shpëtojë nga akuzat për rolin e tij në misionin faktmbledhës për krimet e viteve 1998-1999 në Kosovë, që kanë çuar sot në Hagë jo thjeshtë shtabin e UÇK por krejt luftën e shqiptarëve për liri, duhet të ballafaqohet me të vërtetën. Ai nuk mund të fshihet as prapa dezinformimit me kufoma imagjinare dhe as prapa fotove me të vdekur prej vërteti, në morgun e Tiranës.

E sa për atë se mund të vijë në pushtet, me këto forma e metoda, as që bëhet fjalë. Jo për gjë por Lulzim Basha, veç të tjerash është edhe i paaftë që ta imitojë për këtë, Sali Berishën e 23 viteve më parë! (Alpenws.al)