Komiteti Teknik i Ekspertëve, nisur nga situata epidemiologjike ka vendosur që t’i rekomandojë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë kryerjen e mësimit të alternuar me prani fizike me atë në distancë. Vendimin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një komunikim online me publikun, duke theksuar se prioritet absolut mbetet mirëqenia e përgjithshme e fëmijëve tanë.

“Për të minimizuar çdo risk gjatë kësaj periudhe që rriten dhe infeksionet e tjera respiratore dhe për të qenë sa më të kujdesshëm, edhe pse fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-Cov2, edhe pse protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është refelktuar edhe në shifra, kemi peshuar rëndësinë e këtij ekulibri dhe kemi vendosur: T’i rekomandojmë MASR që nga data 1 dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, në formë tradicionale, pra me prani fizike duke e kombinuar me mësimin në distancë (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore”, ka bërë të ditur Manastirliu.