Universitetet në vend nisin sot vitin e ri akademik online duke respektuar vendimin e marrë nga Komiteti i Ekspertëve për të mos filluar mësimin në auditore si masë në kushtet e pandemisë. Vendimi parashikon zhvillimin e mësimit online të paktën për muajin e parë të vitit akademik. Studentët që nisin fakultetin për herë të parë, do ta fillojnë atë online. Po online do të zhvillojnë mësimin edhe studentët e viteve më të larta, në universitetet publike dhe ato jopublike. Mësimi online u aplikua edhe në fund të vitit të kaluar akademik me vendosen e masave kufizuese dhe karantinës për shkak të pandemisë.

”Viti i ri akademik do të jetë një sfidë e pazakontë për universitetet tona për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, por universitet janë përgatitur që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, duke uruar dje të gjithë studentët për një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm. Ndërkaq, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ka garantuar të gjithë studentët se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e vitit të ri akademik, një vit akademik që pritet të nis online deri në një urdhër të dytë.

Drejtoria e Qytetit Studenti, Rezidenca Studentore Universitare 1 dhe Rezidenca Studentore Universitare 2, përmes një njoftimi zyrtar, njoftuan studentët që kanë kryer rezervimin për qëndrimin gjatë vitit akademik 2020-2021 në Qytetin Studenti dhe konviktet e Inxhinierisë dhe Mjekësisë, se me rihapjen e konvikteve të gjithë studentët e regjistruar do të vijojnë frekuentimin në konvikte sipas kontratave të nënshkruara.