E shkuara nuk mund të blihet nga askush, as nga ata që e konsiderojnë veten të gjithëpushtetshëm, për shkak të parave që kanë. I tillë është edhe rasti i kreut aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që në vitin 2005 u prezantua me bujë si “djali model” i politikës shqiptare. Por nga atëherë ai ka zhgënjyer pa fund që të gjithë, sigurisht me përjashtim të familjarëve të tij dhe një zhgani puthadorësh që i servilosen për ndonjë kockë. Të tillë e prezanton në fakt edhe gazetari hollandez Rudie Kagie i gazetës “Vrij Nederland” në artikullin e datës 24 maj 2008. CNA.alka përgatitur materialin e plotë të artikullit në fjalë, ku Kagie përshkruan në detaje jetën lukzose që bënte në Tiranë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, dhe të cilin ai e cilëson si “elita e re e Tiranës”. Ata takohen dhe darkojnë në një nga restorantet më të shtrenjta të kryeqytetit shqiptar, në praninë e bashkëshortës së tij Aurelës, kunatit Erion Isufi dhe 2 miqve të tij, Auron Cecaj dhe Eris Hoxha, të cilët ashtu si Basha kishin studiuar në Universitetin e Utrehtit.
“Pas diplomimit, ata u kthyen në atdheun e tyre si akademikë premtues, ku tani mbajnë poste të larta në qeveri apo biznese. Ministri thotë se vëllai i tij i vogël, po studion aktualisht për juridik në Utreht”- shkruan Kagie. Në fillim biseda mes tyre sillet rreth kujtimeve studentore të Bashës, apo politikës së brendshme hollandeze. Më pas kalohet tek vizita historike e presidentit amerikan Xhorxh Bush në Tiranë në qershorin e 2007-ës. Por gazetari hollandez, ndalet gjatë tek njeriu që e mbajti me bukë Lulzimin në Hollandë. Mentori i tij ishte hebro-hollandezi Barend Kohen, një mjek i mjekësisë ligjore në Stolvijk. Kohen shëtiste shpesh nëpër zonat e krizave në botë, në emër të fondacionit “Johannes Wier” që merret me të drejtat e njeriut dhe kujdesin shëndetësor. Në këtë cilësi, ai mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit në Tiranë në vitin 1991 afër mesnatës.
Takimi i Bashës me doktor Barend Kohen “Autobusi i fundit që çonte pasagjerët në Tiranë kishte ikur, por kohët e fundit në vend po lëviznin taksitë e para private. Shtatëmbëdhjetëvjeçari i atëhershëm, Lulzim Basha fitoi ca para shtesë pas shkollës nga puna si kamarier në restorantin e aeroportit. Një shofer taksie i premtoi një udhëtim falas për në shtëpi, nëse ai arrinte t’i gjente një pasagjer. Dhe i huaji që gjeti ishte pikërisht doktor Kohen. Hollandezi u dërgua të qëndrojë në hotel Dajti. Mjeku kërkoi edhe një përkthyes për ta shoqëruar në investigimin e tij, mbi eksperimentet e dyshuara me drogë mbi fëmijët shqiptarë”- e përshkruan gazetari momentin e njohjes së Bashës me njeriun që do të ndryshonte tërësisht fatin e jetës së tij. Basha nuk ngurron që të bëhet qesharak, kur mburret se “si student me aftësi gjuhësore, isha nga të paktët në Tiranë që flisja një anglishte të pranueshme”, dhe kjo gjë sipas tij “ndikoi që mes tij dhe Baren të lindte një miqësi intensive”. Kagie, gjithnjë sipas dëshmisë së Bashës, shkruan se për shkak të diferencës moshore thuajse 30-vjeçare, ”marrëdhënia mes të dyve u zhvillua në mënyrë të pavullnetshme, në tiparet karakteristikë të bashkëveprimit midis një babai dhe të birit”-raporton CNA.al, duke iu referuar shkrimit të gazetarit hollandez Rudie Kagie.
Udhëtimi në Hollandë “Kohen e ftoi mikun e tij të ri të kalonte pushimet në Hollandë. Ata udhëtuan me një avion çarter. Lulzim Basha u kthye në Shqipëri i ngarkuar me dhurata. Ishte një kohë e çuditshme, kur një botë e re u hap para ministrit të ardhshëm”- shkruan më tej gazetari hollandez, duke mos shpjeguar shumë mbi “kiminë” e fortë që lidhi brenda pak ditësh doktorin dhe rioshin Lulzim. Më tej Basha pretendon se në shtëpinë e Kohen, që sipas tij ishte një bazë për aktivistët politikë nga Shqipëria dhe Kosova, ai takoi politikanë kosovarë si Ibrahim Rugova, që asokohe ishte presidenti i Kosovës në mërgim. Dhe në fakt disa vite më parë, në media kanë qarkulluar pamjet e një takimi mes të dyve, por nuk thuhej asgjë me saktësi mbi vendin apo kontekstin e këtij takimi.Më tej në rrëfimin e tij shpesh haluçinant dhe surreal, Basha e tepron sërish me vetëmburrjet kur shprehet: “Në shkollën e mesme, ne ishim ndër grupet e fundit të nxënësve që mësonim dialektikën marksiste dhe ekonominë politike. Por unë tashmë isha fuqimisht antikomunist. Unë isha në radhën e parë, kur u rrëzua statuja e diktatorit tonë Enver Hoxha. Sapo u themelua Partia Demokratike, unë u anëtarësova në forumirin e saj rinor”.
Në fakt asnjë nga bashkëshohësit dhe protagonistët e shquar të asaj ngjarje historike, nuk e mban mend Lulin aty pranë. Madje në një rast Basha, është bërë sërish qesharak, kur deklaroi në një intervistë disa vjet më parë se qëndroi disa çaste i vetëm para bustit, një natë para rrëzimit të tij, duke thënë se e kishte parandjerë atë ngjarje. Gazetari vijon më tej shkrimin e tij, duke theksuar se Barend Kohen do të kryente misione të ndryshme në Shqipëri, ndërsa e ndryshoi rrënjësisht jetën e Lulzim Bashës dhe miqve të tij.
Shkollimi në Hollandë, me paratë e Soros “Doktori ishte krijuesi dhe themeluesi i fondacionit “Studentë shqiptarë në Hollandë”’, i cili u themelua në vitin 1993, falë një donacioni nga filantropi amerikan Xhorxh Soros. Në shtator të këtij viti, 6 të rinj shqiptarë u transferuan në Utreht. Lulzim Basha donte të studionte shkenca politike. Por kur iu tha se kjo gjë nuk ishte e mundur në Utreht, ai vendosi të studiojë të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai u diplomua në pranverën e vitit 2000, dhe shumë shpejt pas kësaj nisi punë si jurist për Kombet e Bashkuara në Kosovë. Aty qëndroi 5 vjet. Pak para se të kthehej në Tiranë në vitin 2005, ai u martua me një shqiptare, e cila edhe ajo kishte studiuar në Hollandë. Çifti bleu një shtëpi në Utreht, por jetoi larg njëri-tjetrit për pjesën më të madhe të vitit”- shkruan më tej Rudie Kagie.
Barend Kohen ishte vërtet “bamirësi nga Stolvijku” siç e përshkruan Kagie. Por ai do të ishte viktima e parë e mosmirënjohjes së Lulzim Bashës. Kreu demokrat pyetet nga gazetari hollandez mbi ftohjen e marrëdhënieve mes të dyve, të cilin ai e shpjegon “me sjelljen e rreptë” të Kohen, e cila sipas Bashës “e tronditi komunitetin e vogël të studentëve shqiptarë”. “Kohen ndërhynte në detajet më intime të tyre, dhe kjo gjë nuk i pëlqyen shumë. Në verën e vitit 2005, u raportua se Kohen që vuante prej kohësh edhe nga sëmundjet e zemrës, kishte vdekur nga një tumor në mushkëri në moshën 63-vjeçare” -vijon më tej artikulli. Në mënyrë hipokrite Lulzim Basha, i thotë gazetarit hollandez se ishte “penduar që nuk mundi të marrë pjesë në funeralin e njeriut, që i detyrohej aq shumë, por në atë kohë, e gjithë koha dhe energjia e tij i ishte kushtuar fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike”.
Bashkëshortja e Bashës Artikulli ndalet me pas tek bashkëshortja Aurela Basha-Isufi, që kishte pajtuar një dado për fëmijën e vogël, në mënyrë që të mund të lëvizte e lirë nëpër Tiranë. Gazetari ndalet sërish tek jeta e saj luksoze: “Ajo e pi kapuçinon e saj në Hotel Sheraton në Tiranë. Për shkak të çmimeve të njëjta me ato të Evropës Perëndimore, ky hotel nuk frekuentohet nga vendasit, por Aurela është një grua e botës. Ajo mendon dhe ëndërron vazhdimisht në holandisht. Dhe kjo nuk është e çuditshme, pasi ajo jetoi në Utreht për 14 vjet”. Më tej theksohet, se Aurela ishte ndër 5 studentët e parë shqiptarë që shkuan në Hollandë në vitin 1993, pikërisht falë parave të Xhorxh Sorosit. Ajo ishte në një klasë me Lulzim Bashën. Gazetari përmend faktin se babai i saj kishte qenë oficer i shërbimit sekret të ushtrisë, ndërsa bashkë me të ëmën kishin qenë anëtare të Partisë Komuniste.
Kunati i Bashës, Erion Isufi dhe pagesa 70.000 dollarë për një vit Kagie ndalet më pas tej Erion Isufi, vëllai i vogël i Aurelës dhe kunati i Lulzim Bashës. “Ai kërkon falje: flet vetëm pak holandisht, edhe pse ka qenë anëtar i korpusit studentor të Utrehtit. Erioni thotë se nuk mundi të mbështetej më tek një fondacion bamirës për të financuar studimet e tij. Ai ishte shumë vonë në këtë aspekt, pasi Shqipëria nuk konsiderohej më një vend aq në nevojë nga Sorosi. “Babai im pagoi për gjithçka, rreth 70.000 dollarë vitin e parë. Pastaj ia dola vetë. Punova si pastrues, kamarier në një bar, kam bërë gjithçka. Vitin e parë pata shumë vështirësi me gjuhën. U diplomova në vitin 2004, pastaj nisa punë si ndihmës/përkthyes në Gjykatën e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi”- shprehet Isufi, duke mos shpjeguar se ku i gjeti për një 1 vit 70 mijë dollarë i ati i tij ish-ushtarak në kohën e diktaturës, dhe as faktin sesi një pastrues apo kamarier mund të fitojë 70 mijë dollarë në vit, ose gati 6 mijë dollarë në muaj, vetëm për të paguar taksën e shkollës, pa llogaritur pastaj harxhimet e tjera të jetës së përditshme.
Isufi thotë se ashtu si kunati u rikthye në Shqipëri në vitin 2005 në prag të zgjedhjeve. Ai pretendon se e ndihmoi Lulzimin “si vullnetar në fushatën e tij, si njeriu i financave dhe koordinimit, dhe pas zgjedhjeve fillova të mendoja për veten time”. Sesa “vullnetar” ka qenë angazhimi i Isufit në atë fushatë, u kuptua nga i madh e i vogël në Shqipëri vetëm pak vite më vonë, kur çdokush mund ta gjente gjuhën me kryebashkiakun Lulzim Basha, vetëm nëse kalonte njëherë nga zyrat e kompanisë konsulente të Erionit. Gjykuar nga karriera politike qelepir e Lulzim Bashës në këto 15 vite, Isufi është i sinqertë kur i pohon gazetarit hollandez: “Është më e lehtë këtu sesa në Hollandë, të tregosh se mund të bësh diçka. Unë kam 3 dyqane këpucësh, në bashkëpronësi me një shqiptar tjetër. Ndërkohë punoj në distancë për një kompani investimesh nga Berlini në Evropën Lindore”.
Takimi me diktatorin libian, Muammar Gaddafi Artikulli ka edhe thagma të tjera, këtë herë nga Lulzim Basha, që përshkruan i emocionuar takimin me diktatorin libian Muammar Gaddafi, që sipas tij “ishte njeri i dashur”, që “ka mësuar nga gabimet e së kaluarës”, dhe që madje i kishte premtuar se do të lobonte në vendet e Afrikës për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë miku tjetër i Bashës, Auron Cecaj, shfaqet hapur një nostalgjik i komunizmit. “Ai mendon se duhet të kemi parasysh gjërat pozitive të komunizmit. Analfabetizmi u zhduk. Dhe pse të mos thuhet me zë të lartë, se kujdesi shëndetësor falas dhe arsimi falas, ishin përfitime të mëdha? Në kapitalizëm, teprohen bekimet e tregut të lirë”- shprehet Cecaj për gazetarin hollandez. Dhe nostalgjia e tij shpjegohet pak më poshtë: i ati kishte qenë redaktor i gazetës “Bashkimi”, një pozicion ky i rezervuar për drejtuesit besnikë të Partisë Komuniste. CNA.al/