Kandidati për president të Barcelonës, Pere Riera, ka thënë se ai nuk do ta mbante me zor në klub Lionel Messin, nëse i fiton zgjedhjet. Josep Maria Bartomeu dha dorëheqje nga posti i presidentit të Barcelonës javën e kaluar, para mocionit të mosbesimit kundër udhëheqësisë së tij, bashkë me tërë bordin e drejtorëve. Pas vendimit të Bartomeut për t’u dorëhequr, është raportuar se zgjedhjet presidenciale të Barcelonës do të mbahen në javën e dytë të janarit, me Rieran që e ka paraqitur kandidaturën e tij.
E ardhmja e Messit mbetet temë e rëndësishme në gjigantin e La Ligës, pasi gjashtë herë fituesi i Topit të Artë kishte bërë kërkesë zyrtare për t’u larguar nga klubi pas sezonit zhgënjyes 2019/20. Për kapitenin e Barçës besohet se mund të ribashkohet me Pep Guardiolën në Manchester City. I pyetur për Messin, Riera tha për Radio Marca: “Sipas mendimit tim, Messi duhet të qëndrojë në Barcelonë dhe jo vetëm në histori (të saj). Nuk do të ishte mirë për askënd”.
“Në fund të fundit, Messi është ai që vendos për të ardhmen e vet. Unë dyshoj shumë se Messi vërtet e kërkoi largimin nga Barcelona në verë”, shtoi ai. Riera theksoi: “Unë nuk do të bëja gjithçka për ta (mbajtur) Messin”.