07 Nëntor- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndarë në faqen e saj në Facebook dëshminë e një qytetari nga Durrësi, i cili ka përfituar ndërhyrjen  në sy dhe lentet falas. Manastirliu bën me dije se me buxhetin e 2021 do të vijojë mbështetja për të moshuarit, me financimin 100% të paketës së kataraktës. Sadulla Elezi nga Durrësi ka përfituar vendosjen e lentes falas pas problemeve me shkimin.

“Kam pasur probleme me shikimin, me syrin e djathtë. Pasi bëra vizitën okulistike, doktori më tha që ke nevojë për lente. Ne menduam se lentet kushtojnë, por doktori na sqaroi që lentet rimbursohen nga shteti dhe ne vendosëm t’i vëmë lentet”, shprehet qytetari nga Durrësi. Janë 152 qytetarë që e përfituan këtë shërbim falas në Durrës dhe më shumë se 4000 qytetarë në të gjithë vendin. Që prej Janarit 2019 paketa e kataraktës financohet 100% falas nga shteti dhe i kursen familjeve 700 dollarë për këtë shërbim, duke përfshirë edhe lentet falas.