Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, në përgjigje të akuzave të kryetarit të opozitës Lulzim Basha, ka deklaruar se këtë vit janë siguruar 4 fish më shumë doza vaksine ndaj gripit për personat e kategorive të riskura. Rakacolli u shpreh se si asnjëherë më parë në Shqipëri vaksinimi ndaj gripit këtë vit ka nisur më herët se vitet e kalura. “Kemi blerë 4-fishin e vaksinave të grupit krahasuar me vitin e kaluar”, tha Rakacolli.

Gjatë një interviste për ReportTv, Rakacolli ka shpjeguar se medikamenti ‘Remdesiviri’, është një ilaç pjesë e rrjetit spitalor e kurrsesi nuk mund të përdoret në treg të hapur. “‘Remdesiviri nuk është medikament që tregtohet në tregun e hapur, është medikament spitalor, pjesë e rrjetit spitalor i siguruar falas, nuk është një ilaç që ka një indikacion specifik për COVID-in, është një medikament anti-viral ka dalë për një sëmundje tjetër por ka studime që mund të përdoret dhe në COVID dhe Shqipëria është pjesë e këtij studimi, pacientët që e përdorin në spital ka disa përdorime specifike dhe i bëhet i qartë të mirat dhe efekte negative, nuk mund të shitet në farmaci”, tha Rakacolli.