Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për dhënien e ndihmës financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh në muaj për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021. Sipas vendimit të qeverisë, punonjësve, do t’u paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021, duke iu transferuar fondi përkatës Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Në vendim janë përcaktuar edhe kriteret dhe dokumentacioni për përfitimin e ndihmës financiare.

Ndihma financiare llogaritet dhe jepet çdo muaj për punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021. Ndihmën financiare e përfitojnë të gjithë punonjësit, pavarësisht nëse kanë përfituar apo jo ndihmë financiare më parë. Aplikimi për të përfituar ndihmën financiare për punonjësit të cilët nuk kanë përfituar ndihmë financiare, bëhet nga vetë subjekti/individi nëpërmjet dorëzimit elektronik të të dhënave të përcaktuara në vendim. Miratimi kryhet pas verifikimit të kritereve, bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon apo të dhënave që të punësuarit do të dorëzojnë.

Subjekti/individi aplikues duhet të paraqesë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, elektronikisht, të dhënat e përfituesit, ku përfshihen të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS ku janë/kanë qenë të punësuar; të dhënat identifikuese të individit si: emrin, mbiemrin e përfituesit; numrin personal të identifikimit të përfituesit; bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; IBAN-in e llogarisë bankare. Administrata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e aplikimit, verifikon në sistemin tatimor, identifikon aplikuesit dhe të dhënat në kërkesën e tyre, duke verifikuar tatimpaguesin nëse është apo jo përfitues i ndihmës financiare.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas verifikimeve përpilon listat përmbledhëse të përfituesve, të ndara për çdo bankë të nivelit të dytë ku përfituesit kanë llogarinë rrjedhëse bankare. Për çdo listë përmbledhëse, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përgatit një urdhër shpenzim të cilin ia paraqet Degës së Thesarit Tiranë për ekzekutim. Paralelisht me dërgimin e urdhrit të shpenzimit në Degën e Thesarit Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve paraqet në bankën respektive të nivelit të dytë listën përmbledhëse të individëve përfitues të ndihmës financiare, me qëllim transferimin e shumës së çdo individi në llogarinë e tij rrjedhëse, pranë kësaj banke. Lista përmbledhëse e individëve përfitues të ndihmës financiare, që paraqitet pranë bankës së nivelit të dytë, duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme: emrin, mbiemrin e përfituesit; numrin personal të identifikimit të përfituesit; bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; IBAN-in e llogarisë bankare.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor miratojnë rregullat procedurale për zbatimin e këtij vendimi. Efekti financiar për dymujorin nëntor – dhjetor 2020, në masën 92 milionë lekë, përballohet nga fondi i alokuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për dhënien e ndihmës financiare sipas paketave përkatëse për përballimin situatës së krijuar nga COVID-19. Efekti financiar, për vitin 2021, në masën në masën 461 milionë lekë, përballohet nga buxheti i vitit 2021, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.