Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar nëpërmjet një statusi në llogarinë e saj në Facebook, në lidhje me ndarjen nga jeta të dy mjekëve, Bledi Nini dhe Ibrahim Kaziu, të cilët ndërruan jetë për shkak të COVID-19.
Ministrja Ogerta Manastirliu shkruan se është e pikëlluar për humbjen e dy mjekëve të shkëlqyer të cilët gjatë punës së tyre u karakterizuan prek profesionalizmit dhe kishin fituar shumë beteja në mbrojtje të shëndetit. Jam e pikëlluar, sepse gjatë 24 orëve të fundit humbëm dy mjekë të shkëlqyer. Dr. Bledi Nini dhe dr. Ibrahim Kaziu, nuk arritën ta fitojnë luftën me Covid-19. Doktor Bledi dhe Doktor Ibrahimi, përgjatë karrierës së tyre të karakterizuar prej profesionalizmit dhe integritetit të lartë, kishin fituar shumë beteja në mbrojtje të shëndetit të qindra dhe mijëra pacientëve, shkruan Manastirliu. Gjithashtu ministrja thotë se dy mjekët nuk ia dolën të fitonin betejën për jetën e tyre përballë këtij virusi të pabesë.
Për fat të keq, nuk ia dolën të fitojnë këtë betejë të fundit, për jetën e tyre, përballë këtij virusi të pabesë. Ngushëllimet më të ndjera familjarëve U prehsh në paqe Doktor Ibrahimi. U prehsh në paqe Doktor Bledi, shkruan Ministrja Manastirliu në Facebook.
Ibrahim Kaziu, doktor prej vitesh në Dibër ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme pasi ishte prekur nga COVID prej disa ditësh, ndërkohë doktor Bledi Nini, mjek ORL në QSUT, u nda nga jeta sot në Itali, ku kishte shkuar për kurim, por nuk ia doli mbanë të kthehej në Atdhe.