Rrugë të boshatisura nga automjetet dhe këmbësorët, restorante, lokale, pube dhe bare të mbyllura. Shqipëria hyri në mbrëmjen e të mërkurës, (11.11) në izolim të pjesshëm nga ora 22.00 deri në orën 06.00 të mëngjesit. Jo vetëm kaq: punonjësit e administratës publike sot (12.11) janë të detyruar të punojnë online në banesa dhe jo në zyra. Masat e sapohyra në fuqi do të vazhdojnë për tre javë dhe do të rishikohen sipas ecurisë së pandemisë Covid-19.
Komiteti i Ekspertëve për këtë pandemi i sugjeroi këto masa qeverisë Rama në fillim të kësaj jave, nisur nga grafiku ditor në rritje i rasteve të reja të infektuara dhe ato të viktimave: këto raste vijojnë të mbeten mbi 500. Vetëm në tri ditët e para të kësaj jave ato arritën në 1595 të infektuar dhe numri i viktimave në 31, afërsisht aq viktima sa pati në total Shqipëria në tre muajt e karantinës, nga marsi në maj të këtij vitii. Pandemia COVID-19 ka prekur gjithsej 23.801 persona që nga fillimi i saj dhe ka shkaktuar 590 viktima, shifra këto të konsiderueshme për popullsinë prej 2.8 milion banorësh të Shqipërinë.
Policia e Shtetit do të monitorojë zbatimin e masave kufizuese në të gjithë vendin përmes patrullave dhe do të ndëshkojë kundravajtësit: gjobë 80 Euro për qytetarët që konstatohen që kanë dalë me automjetet e tyre në orët e ndalimqarkullimit, bllokim automjeti dhe dënim me burg deri në 6 muaj në rast se kundravajtja përsëritet. Bizneset që thyejnë ndalim-qarkullimin do të ndëshkohen me masa që shkojnë nga mbyllja e aktivitetit deri në burgim.
Virusi Corona, bashkëpunimi rajonal i avancuar dhe Procesi i Berlinit. Pritshmëritë janë që masa të tilla të ndikojnë në mospërhapjen e infektimit me virusin vdekjeprurës. Në këtë përpjekje po gjen udhën e vet edhe bashkëpunimi dhe koordinimi mes 3 vendeve fqinje të rajonit. Drejtuesit politikë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë nënshkruan në fillim të javës, (9.11) një Memorandum Bashkëpunimi për të mposhtur COVID-19. “Duke filluar që tani, do punojmë për koordinimin e sigurisë së vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët tanë. Do të mbështetemi tek njëri tjetri dhe do të ndihmohemi në momente të caktuara, nëse ndodh mbingarkesë e sistemeve shëndetësore në vendet tona”, tha kryministri Zaev. Ai citohet të ketë thënë që “hapja e korridoreve të gjelbërta” për kalim të qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë, bëhet për të që zbutur pasojat e pandemisë”
Në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit rajonal qytetarët e tre vendeve mund të udhëtojnë në sejcilin prej tyre pa testin e covidit-19. “Nëse ndonjë qytetar i ndonjë vendi nënshkrues mbetet në territorin e një shteti tjetër dhe duhet të trajtohet në vendin në të cilin është hospitalizuar, atëherë shteti në të cilin trajtohet do t’i marrë përsipër harxhimet e mjekimit”, tha kryeministri Zaev në takimin online. Zyra e shtypit pranë Kryeministrit Rama, bëri me dije se kryeministri i Shqipërisë, Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zaev, presidenti Vučić dhe kryeministrja re Serbisë, Brnabiç e shohin memorandumin në përputhje me Procesin e Berlinit pasi ai “përfaqëson një nismë për bashkëpunim rajonal të avancuar”.
Shqipëria dhe Serbia me marrëveshje për kalim të kufirit me letërnjoftim. Përveç Memorandumit për Bashkëpunim anti COVID-19, Shqipëria dhe Serbia nënshkruan të mërkurën, (11.11) një marrëveshje sipas së cilës shtetasit e dy vendeve mund të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim. Më herët Shqipëria ka nënshkruar marrveshje të tilla me shtetet e tjera të BP. “Besoj fuqishëm që kjo nismë do të na ndihmojë të gjithëve për të njohur kur vihen në pyetje vështirësitë ditore të ekonomive tona, sfidat sociale dhe do të lehtësojë atmosferën për të gjetur zgjidhje për të mirën e popujve tanë si për të ardhmen, ashtu edhe për të kaluarën”, citohet të ketë thënë kryeministri shqiptar Rama. Nënshkrimin e marrëveshjeve e përshëndeti edhe presidenti serb Vučić i cili tha se “ajo ka për qëllim të ketë ndikim real pozitiv në jetën e përditshme të qytetarëve. “Është e rëndësishme që ne të tentojmë dhe të vendosim për të ardhmen e qytetarëve tanë, si dhe të demonstrojmë se mund të ruajmë pavarësinë tonë dhe vetë të miratojmë vendime, para së gjithash, me ata që janë në fqinjësinë tanë, që i kemi më afër dhe për këtë jam i lumtur për këto marrëveshje”, citohet të ketë thënë Vučić.DW