Pandemia mund të ulë numrin e foshnjave në shtetet e pasura. Ndoshta, edhe më tepër në vendet e varfra. Kur Kampala hyri në karantinë për shkak të Covid-19, beqarët në kryeqytetin e Ugandës kërkuan “partnerë karantine”, thotë Allan Creed, i cili punon në marketing dixhital, shkruan The Economist. Ai dhe miqtë e tij nuk mund të shkonin në dyqanet lokale për të blerë kontraceptivë.
Zoti Creed është mbështetur në prezervativët falas të dhuruar nga Fondi i Popullsisë i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes një aplikacioni lokal për shërbimin e motoçikletave, të quajtur SafeBoda. Por ai njeh tre mikesha, që tashmë kanë mbetur shtatzënë në mënyrë të paplanifikuar në mes të periudhës së studimeve universitare. “Ne nuk dilnim jashtë, nuk punonim, asgjë nuk po ndodhte, kështu që kishim shumë kohë të lirë”, shpjegon 26-vjeçari.
Ndërkohë në Singaporin e pasur, ku kontraceptivët gjenden lehtësisht, të rinjtë që hezitonin të krijonin një familje para pandemisë, tashmë janë edhe më të sigurt për këtë gjatë një recesioni global. Qeveria po përpiqet t’i nxisë njerëzit të lindin duke ofruar një shpërblim prej S$ 3,000 (2,200 $) për ata që lindin një fëmijë në dy vitet e ardhshme, përveç skemave ekzistuese të ndihmave. Por as kjo nuk e bind Keith që të bëhet baba. “Jam i bindur se unë dhe ime shoqe do të kalojmë shumë mirë në 30, 40 vitet e ardhshme pa fëmijë”, thotë 36-vjeçari. “Pse të rrezikojmë?”
Është shumë herët për të konstatuar efektin e Covid-19 në nivelin e lindshmërisë. Por duket se po shfaqen prirje të ndryshme në vendet e pasura dhe të varfra. Pak gra dëshirojnë të kenë fëmijë në një kohë pasigurie. Në vendet e pasura, shumë prej tyre e kanë shtyrë për më vonë nisjen e një familjeje apo shtimin e saj. Në vendet më të varfra, ku gratë shpesh kanë më pak zgjedhje, mund të nisë një bum në lindje.
Qeveritë tashmë po përpiqen të përshtaten. Nuk është vetëm Singapori që po përpiqet të rrisë numrin e lindjeve. Kryeministri i ri i Japonisë, Suga Yoshihide, javën e kaluar kërkoi që sigurimi shëndetësor të mbulonte trajtimin e fertilitetit in vitro. Shifrat e qeverisë japoneze treguan një rënie prej 11% të shtatzënive të reja krahasuar me vitin e kaluar.
Në vendet e varfra, zhvendosja masive ka ndikuar në aktivitetin seksual. Kur India njoftoi një karantinë të papritur në mars, me miliona punëtorë urbanë në të gjithë vendin, humbën punën dhe u larguan në shtëpitë e tyre në fshatra, dhe po ashtu në Nepal, Bangladesh dhe më gjerë. Ata u ribashkuan me njerëzit e dashur që zakonisht i shohin vetëm disa herë në vit gjatë festave zyrtare. Kjo mund të jetë e mjaftueshme për të hedhur poshtë parashikimet e popullsisë, thotë Vinit Sharma nga UNFPA. “Ne nuk kishim pritur që të bashkoheshin kaq shumë çifte për një periudhë kaq të gjatë kohe”, shton ai.
Më shumë marrëdhënie seksuale nuk sjellin domosdoshmërisht më shumë lindje. Por Covid-19 ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit për metodat kontraceptive. Njerëzit e varfër rrallë blejnë mjaftueshëm kontraceptivë për disa muaj. Edhe një ndërprerje e shkurtër mund të çojë në shtatzëni të padëshiruara. Të dhënat shëndetësore në Indi tregojnë se midis dhjetorit dhe marsit, shpërndarja e pilulave dhe prezervativëve kontraceptivë, ra përkatësisht me 15% dhe 23%. U ul gjithashtu përdorimi i pajisjeve intrauterine për kontrollin afatgjatë të lindjes.
Instituti Guttmacher, një think-tank pro lirisë së abortit, thekson se ngarkesa që ka rënë mbi sistemet e kujdesit shëndetësor nga Covid-19 në vendet në zhvillim, ka të ngjarë të dëmtojë shërbimet e shëndetit seksual. Instituti vlerëson se një rënie prej 10% në përdorimin e shërbimeve të tilla në 132 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, do të thotë se 50 milionë më shumë gra nuk do të kenë kontraceptivët e nevojshëm për këtë vit, duke çuar në 15 milionë shtatzëni të padëshirueshme. Ai parashikon se 28,000 nëna dhe 170,000 të porsalindur do të vdesin dhe do të kryhen 3.3 milionë më shumë aborte të pasigurta.
Ndërsa në vendet e zhvilluara, gratë zakonisht kanë kontroll më të madh në planifikimin familjar. Kjo do të thotë se ankthi nga pandemia mund të shkaktojë një rënie të ndjeshme në nivelin e lindjeve. Një sondazh nga Instituti Guttmacher i grave amerikane të moshës 18 deri në 34 vjeç, në familje që fitojnë më pak se 75,000 dollarë në vit, zbuloi se një e treta e tyre dëshiron të mbetet shtatzënë më vonë ose të ketë më pak fëmijë për shkak të Covid-19 (shih grafikun 1). Një studim nga Instituti i Ekonomisë së Punës IZA, parashikon një rënie prej 15% të lindjeve mujore në Amerikë midis nëntorit dhe shkurtit, 50% më e madhe se rënia pas krizës financiare në vitet 2007-‘09.
Efektet e Covid-19 në familje më të vogla
Covid-19 pritet të përshpejtojë prirjen prej disa dekadash drejt familjeve më të vogla në vendet e pasura. Në Singapor, niveli i lindshmërisë (d.m.th., numri i fëmijëve që një grua mund të presë të ketë gjatë jetës) ishte 1.14 (shumë më poshtë normës së zëvendësimit prej 2.1), madje edhe para pandemisë. Kur Nju Jorku hyri në karantinë, shumë njerëz i ndaluan trajtimet e fertilitetit.
Disa spitale nuk i lejuan partnerët në dhomat e lindjes. Mundësia për ta kaluar të vetme procesin e lindjes i shkurajoi disa gra nga krijimi i një familjeje, sipas Brian Levine, themelues dhe drejtor në CCRM Fertility, një rrjet i klinikave të fertilitetit në Amerikë dhe Kanada. “Mos prisni të ketë një bum bebesh të lindura në dhjetor dhe janar sepse njerëzit qëndronin në shtëpi të mërzitur dhe kryenin marrëdhënie seksuale”, thotë ai. “Ata rrinin në shtëpi dhe ishin të mërzitur dhe të frikësuar”.
Gratë janë të shqetësuara se mos infektohen me Covid-19 gjatë shtatzënisë, pasi mjekët thonë se është e mundur që virusi të transmetohet tek një fëmijë i palindur. Të tjera janë ngarkuar me mjaft punë shtëpie gjatë karantinës dhe nuk mund të përballojnë dot edhe kujdesin për një të porsalindur. “Çështja nuk është se njerëzit nuk duan fëmijë – ata thonë se nuk mund dhe nuk duhet të kenë fëmijë”, thotë Karen Benjamin në Universitetin Bowling Green, në Ohajo.
Në Planned Parenthood, ofruesi më i madh i aborteve dhe shërbimeve riprodhuese në SHBA, numri i aborteve mjekësore është rritur. Gillian Dean, i cili punon në obstetrikë dhe gjinekologji për grupin në Nju Jork, thotë se pacientët po ndërpresin shtatzëni që në rrethana të tjera do t’i kishin vazhduar. “Kam pasur pacientë që janë punëtorë të vijës së parë dhe janë të vetmit njerëz në shtëpitë e tyre të punësuar, prandaj ndihen sikur e kanë për detyrë të bëjnë gjithçka munden për të mos u larguar tani nga fuqia punëtore”, thotë Dr Dean.
Përvoja nga Zika
Dëshmitë nga një përhapje e virusit Zika, në vitet 2015-‘16, një sëmundje që shkakton defekte në lindje, tregojnë se Covid-19 nuk do të ketë ndikim të njëjtë në të gjithë botën në zhvillim. Në Brazil, një vend me të ardhura të mesme, ku gjysma e të gjitha shtatzënive janë të paqëllimshme edhe në kohë normale, numri i lindjeve ra pasi goditi Zika.
Kjo është një shenjë se shumë gra arritën të sigurojnë kontraceptivë (ose aborte të paligjshme). Lindjet ranë më tepër në verilindje, ku epidemia Zika goditi në fillim dhe më fort, sipas studimeve nga Letícia Marteleto në Universitetin e Teksasit, në Austin. Këtë vit, me Covid-19, janë gratë zezake dhe pakicat e tjera në Brazil që e kanë më të vështirë të kenë akses në kujdesin shëndetësor.
Në maj, Malu Sícoli, një avokate në San Paulo, qytetin më të madh të Brazilit, vendosi të mos përpiqej më për të mbetur shtatzënë, derisa të qetësohej pandemia. Disa ditë më vonë, ajo zbuloi se në fakt ishte shtatzënë. Kujtimet e Zikës ia shtuan ankthin për lindjen e fëmijës. “Herën e parë kur shkova për një vëzhgim të ecurisë së shtatzënisë, isha mjaft e ngarkuar emocionalisht”, thotë ajo. “Kisha frikë edhe të ecja në rrugë, e aq më tepër të qëndroja në një klinikë mjekësore, një laborator, një spital”.
Pikëpyetja mbi lindjet
Pyetja e madhe është sa i gjatë do të jetë ndikimi në nivelet e lindjeve. Historia na tregon se rënia e nivelit të lindjeve mund të ndryshojë me shpejtësi. Gratë që lindën foshnja të paplanifikuara gjatë pandemisë, mund të kenë më pak fëmijë më vonë. Gratë në vendet e pasura që e shtynë për më vonë shtatzëninë, mund të përpiqen sërish pasi të ulen shqetësimet e Covid-19. Fertiliteti ra pas shpërthimit të virusit SARS në Hong Kong dhe uraganit Katrina në Amerikë (shih grafikun 2), por u rikuperua menjëherë më pas.
Epidemia e gripit spanjoll në vitin 1918 çoi gjithashtu në një ulje të numrit të foshnjave vitin e ardhshëm, por nivelet e lindjeve u rritën sërish në vitin 1920. Efekti ishte në nivel global, çka tregon se nuk ishte vetëm fundi i luftës që nxiti rritjen e lindjeve. Çiftet po lindnin foshnjat që i kishin shtyrë për më vonë.
Në Nju Jork, tashmë ka shenja që çiftet po përpiqen edhe një herë për të pasur fëmijë. Edward Nejat, një mjek i fertilitetit në Generation Next Fertility në Manhatan, vuri re një rënie drastike të pacientëve në mars që ai thotë se duhej të ishte për shkak të pasigurisë. Praktika e tij nuk u mbyll por 95% e pacientëve zgjodhën të mos ndiqnin trajtim gjatë valës së parë. Ai tani po viziton më shumë pacientë se para pandemisë. “Për shumicën e njerëzve, kjo ishte një pauzë”, thotë ai.
Por kjo mund të mos jetë gjithmonë e mundur. Në Europën Jugore, efektet e krizës ekonomike janë ende duke u ndier në brezin që kishte arritur asokohe moshën madhore, të cilët kanë luftuar për të gjetur punë të qëndrueshme, ose për të blerë shtëpi. Për ata që tani janë në fund të 30-ave, po mbaron ora biologjike, thotë Francesca Luppi nga Università Cattolica del Sacro Cuore në Milano. Kërkimet e fundit nga zonja Luppi zbuluan se 29% e të rinjve 18 deri në 34 vjeç në Spanjë dhe 37% në Itali që po planifikonin të kishin një fëmijë në vitin 2020, i kishin braktisur këto plane deri në mars.
Politika e qeverisë këtu luan një rol kyç. Përveç përpjekjes për të përballuar pandeminë, shtetet mund të kërkojnë të lehtësojnë vështirësitë ekonomike që ka shkaktuar Covid-19. Ata gjithashtu mund të subvencionojnë aksesin në kontraceptivë, duke u dhënë grave më shumë kontroll në planifikimin familjar. Gjithashtu mund të hartojnë politika për arsimimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve që e bëjnë më të lehtë krijimin e një familjeje.
Fatkeqësitë, ashtu si familjet e palumtura të Tolstoit, janë të gjitha katastrofike në mënyra të ndryshme. Krahasimi i Covid-19 me luftërat e kaluara, pandemitë ose katastrofat natyrore, nuk është shumë i dobishëm. Bota nuk është përballur asnjëherë më parë me karantina kaq të përhapura për një periudhë kaq të gjatë kohore.
Megjithëse njerëzit mund të ngurrojnë më tepër për lindjen e fëmijëve gjatë një krize, të mbyllurit brenda në shtëpi pa pasur mundësinë të bashkëveprojnë me familjet e tjera, mund t’i bëjë ata të duan më shumë të kenë fëmijë, sugjeron Rachel Snow, kreu i degës së popullsisë dhe zhvillimit në UNPPA. “Ndoshta do të shohim një vlerësim të ri të jetës familjare.”/ Përktheu: Lira Muça