Kur duket se zgjedhjet e ardhshme do të përcaktojnë fituesin mes tre partive kryesore në vend, PS-PD-LSI, lëvizjet apo partitë më të vogla, mendojnë se ata do të jenë përcaktuese në zgjedhjet e 25 prillit. I këtij mendimi është Astrit Patozi, i cili në “Top Talk”, ku ishte dhe i ftuar, tha se shqiptarët janë në kërkim të një alternative të re, një alternativë ndryshe nga ajo që është ofruar këto 30 vite pluralizëm.
Patozi u shpreh se Bindja Demokratike, parti e kryesuar prej tij, por edhe lëvizje apo parti më të vogla, ndër të cilat ato të ish-demokratëve Jozofina Topalli dhe Myslim Murrizi, mund të hynë bashkë në zgjedhje në formën e një koalicioni, për të maksimalizuar votën e tyre dhe të tentojnë të ngushtojnë hendekun me tre partitë më të mëdha të vendit.
Ne jemi detyruar që t’i japim shqiptarëve një alternativë të tretë, që të jetë e ndryshme nga dy alternativat e stër lodhura. Partia Socialiste në pushtet, apo rilindja e Edi Ramës nga njëra anë dhe nga ana tjetër opozita e korruptuar e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Ne e kemi politike këtë gjë por e kemi dhe aritmetike sepse është e vetmja mënyrë për të kapërcyer kodin elektoral, i cili është një çark, që penalizon partitë e reja. Ndaj ne duke bashkuar forcat elektoralisht bëhemi më shumë dhe numërohemi më shumë me 26 prill. Unë e nxjerr veten jashtë emrave të përveçëm, Shqipëria nuk e ka problemin me personat e ka problemin me sistemin e kalbur që tashmë po kualifikohet. Personat mund t’i ndërrojmë por nuk ndryshojmë asgjë, por po goditëm sistemin personat edhe po të qëndrojnë nuk do të jenë më kaq të dëmshëm. Synimi jonë është që të jemi forcë përcaktuese qeverisëse, mbështetja jonë do të jetë në funksion të një lëvizje transformuese dhe reformatore në Shqipëri, duhet të rrëzojmë kryetarokracinë.
Duhet ta fillojmë me ndryshimet Kushtetuese të 2008 të cilat duhet të zhbëhen, aty duhet të fillojë rithemelimi i Republikës në Shqipëri. Unë do të doja që të mos kishte parti dhe lëvizje, por të kishte dhe personalitete të jashtme që të vijnë dhe të mos jenë detyrimisht anëtarë partie. Bindja Demokratike është e hapur, nëse një person ka një gjë për të thënë, një gjë për të dhënë për këtë vend, le të vijnë të kandidojnë dhe nuk kanë asnjëlloj detyrimi ndaj Partisë Bindja Demokratike, kështu mund ta bëjmë ne Shqipërinë. Kur them debati i tyre i shëmtuar është pasqyra degraduese ku e kanë çuar politikën dhe mendoj që kjo alternativë e tretë është e vetmja risi e këtyre zgjedhjeve dhe e vetmja valvul ku shqiptarët të shkarkojnë zemërimin e tyre për këto që kanë ndodhur në këto 30 vite, u shpreh Patozi.