Miratimi i vaksinës anti-Covid të Pfizer & BionTech është çështje kohe. Dy ekspertë amerikanë të shëndetit publik përforcuan bindjen se autoritetet, jo vetëm që do t’i japin dritën jeshile, por synohet që brenda dhjetorit të vaksinohen të paktën 20 mln qytetarë.
“Mendoj se do të kemi vaksina të mjaftueshme për të imunizuar 20 milion amerikanë deri në fund të këtij viti”, tha në një intervistë për CNN, Brett Giroir, kreu i testimeve kundër viruseve në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, Giroir përsëriti thirrjen se ky lajm nuk duhet të ulë vëmendjen e qytetarëve ndaj respektimit të masave të sigurisë, sidomos mbajtjen e maskës dhe distancimi fizik deri në momentin e shpërndarjes së vaksinës për të gjithë.
Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë nuk përmendi emrat e vaksinave të mundshme, por përmendi numrin 2, me gjasë duke iu referuar vaksinës së Pfizer dhe të Modernas. “Washington Post” paralajmëroi disa ditë më parë se kompania ajrore “United” kishte nisur transportimin nëpër SHBA të mijëra dozave të vaksinës së Pfizer. Megjithatë, si kompania e fluturimeve, ashtu edhe ajo e barnave nuk e kanë konfirmuar ende këtë lajm, por as e kanë mohuar atë.
Kohën se kur mund të nisë shpërndarja në treg e vaksinave imunizuese e dha Anthony Fauci në një intervistë për televizionin ABC, ku dha si afat mesin e muajit dhjetor. Edhe mesazhi i tij ishte që qytetarët të tregohen të kujdesshëm deri atëherë. SHBA numëron në total mbi 13 milionë raste me koronavirus dhe rreth 266 mijë të vdekur nga infeksioni, duke u bërë vendi më i goditur në botë. Aktualisht vlerësohet se në spitalet amerikane po kurohen nga Covid 91 mijë pacientë, ku 18 mijë ndodhën në terapi intensive.