Nga Adriatik Doci
Opozita shqiptare vijon të jetë mjaft kontradiktore sa i takon qëndrimeve të saj në raport me masat e ndërmarra nga qeveria për përballimin e koronavirusit. Teksa Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e së enjtes se qeveria ka fshehur qindra të vdekur me covid-19, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, disa muaj më parë akuzonte qeverinë se ka shtuar numrin e të vdekurve, për të ngjallur panik dhe justifikuar masat kufizuese.
Në 5 maj 2020, Monika Kryemadhi, deklaronte se të moshuarit kanë vdekur për shkaqe të tjera, por qeveria i ka shpallur si të vdekur nga COVID-19. Pra, në varësi të interesave politike, opozita një herë akuzon qeverinë se i fsheh dhe ul numrin e vdekjeve me covid dhe një herë se i rrit numrat.
Në 5 maj 2020, Monika Kryemadhi deklaronte se “Edhe për ato persona që janë të vdekur ne nuk themi nëse kanë sëmundje të tjera shoqëruese apo jo. Ne nuk themi se sa persona të tjerë vdesin për shkak të sëmundjeve të tjera. Këta që ne i konsiderojmë të sëmurë me covid, a kanë vdekur nga covid apo kanë vdekur nga shkaqe të tjera dhe covid ka qenë një shkak tjetër anësor. Kjo ka pas ka një ristrukturim të strukturave të ekonomisë globale, por ne si Shqipëri, pavarësisht se liderin e kemi suprem, një pikë në oqean jemi. Një nga gabimet që ka bërë qeveria ka qenë vendosja e panikut dhe e terrorit psikologjik tek qytetarëve…. Struktura e vdekjes. Nuk duam numra. Arsyeja pse ka vdekur. Cila është arsyeja mjekësore e këtij personi që ka vdekur? Të paktën për periudhën e karantinës. Mua para ca vitesh mua më ka vdekur daja im nga gripi. Mos u merrni me numrin e të vdekurave. Djalli takoi Zotin dhe i tha që do të marr duke hedhur kolerën 100 mijë njerëz. Por kur ra kolera vdiqën 400 mijë. Kur e pyet Zoti pse vdiqën 400 mijë, ai tha 300 mijë vdiqën nga frika. Frika dhe paniku është një gabim shumë i madh”.
Gjashtë muaj më vonë, Lulzim Basha pretendon të kundërtën. Basha pretendon se për periudhën mars-tetor 2020 janë raportuar 509 vdekje nga covid, ndërsa sipas tij, janë 923 viktima nga covid-19. “Që ky është fakt ne e kemi bërë edhe objekt bisedash. Normalisht Prokuroria duhet të vinte t’i merrte këto letra sonte këtu. Ne kemi edhe listat me emrat e plota. Me emra dhe mbiemra nga morgu”, tha Basha.
Ndërkaq, propaganda e opozitës është karakterizuar nga paradokse që në fillim të pandemisë, duke lëkundur besueshmërinë dhe seriozitetin e PD-LSI-së.
Në 23 shkurt 2020, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, reagoi ashpër kudër mbylljes së një shkolle për dy javë nga frika e koronavirusit, duke e konsideruar jetë veprim sipas përhapje paniku. Ndërkaq, pas mitingut që organizoi Presidenti Ilir Meta në 2 mars para Presidencën, PD-LSI akuzuan qeverinë se po vonohej me marrjen e masave mbrojtëse.
Gjashtë javë më vonë, opozita ndryshoi ‘pllakën;, duke thënë se masat ishin të ashpra dhe të pajustifikueshme. Madje, në 21 prill 2020, përfaqësuesi i PD-së Oerd Bylykbashi, duke kundërshtuar zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deklaronte se “shifrat e Edi Ramës, 609 të identifikuar me virus dhe 26 të vdekur, nuk e justifikojnë aspak zgjatjen deri në qershor kur të tjerët me kriza të vërtetë shëndetësore po i zgjasin vetëm 3-4 javë”.
Ndërkaq, në 3 maj 2020, Partia Demokratike deklaronte se piku i covid-19 kishte kaluar. “Qeveria, përtej çdo arsyetimi të logjikshëm, vazhdon të mbajë spitalet mbyllur për qytetarët. Kjo situatë është e pandryshueshme, megjithëse shifrat e prodhuara nga vetë qeveria, tregojnë se piku ka kaluar”, thuhet në deklaratën për shtyp të PD. Faktet tregojnë së qëndrimet e opozitës nuk kanë lidhje me realitetin dhe shqetësimin për pasojat e covid, por me llogaritë e saj politike.