“Populli e ka pasur një hall të madh kur ka nxjerrë shprehjen e hidhur “Gënjen si derr!” dhe çdo ditë që i dëgjoj këta e më kujtohet kjo shprehje, aq më shumë pyes veten, po çfarë vallë pret prej tyre pakica që akoma u beson këtyre derr gënjeshtarëve?! Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama ndërsa publikoi një video që i përgjigjet deklaratave të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi dhe ish-deputetes të PD-së Jorida Tabaku, mbi ndërtimin e shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë.
E ftuar në një studio televizive disa ditë më parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se shkolla “Sami Frashëri” do të ndërtohet në Paskuqan. “Do ftoja të gjithë këta samistat të hetojnë pak për shkollën “Sami Frashëri”, duke filluar nga Basha, Meta e me radhë. Kam dijeni se u është kthyer gjasme sheshi i shkollës “Sami Frashëri” pronarëve dhe do të ndërtohet pallat dhe shkolla “Sami Frashëri” do të transferohet në Paskuqan”, u shpreh Kryemadhi.
Më herët, edhe ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi e “Erion Veliaj gënjen kur tha se u prish se do të rindërtohej prej tërmetit. Ndërkohë në aktekspertimin që Instituti Shqiptar i Ndërtimit i dërgon bashkisë Tiranë pasi ka inspektuar objektin e dëmtuar nga tërmeti të shkollës “Sami Frashëri”, shkruhet: “Si përfundim mund të themi se aktekspertiza e thelluar për objektin gjimnazi “Sami Frashëri” Tiranë është e detajuar dhe e bazuar në studime, prova laboratorike dhe analiza strukturore të plota”.
“Dalim si përfundim që gjimnazi ‘Sami Frashëri’ Tiranë duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri”, thuhet në dokumentin dërguar nga Instituti i Ndërtimit bashkisë Tiranë, që mban datën 28 janar 2020. Po ashtu, me një vendim të Këshillit Teknik pranë drejtorisë së Punëve Publike në bashkinë Tiranë, miratohet ndërtimi i shkollës së mesme “Sami Frashëri”. Në projektin arkitektonik të shkollës së re, duket e zeza mbi të bardhë planvendosja e objektit që vërteton se vendi ku do të ndërtohet shkolla është i njëjti me atë ku ka ekzistuar shkolla e vjetër, në Rrugën e Barrikadave.
Punimet tek rruga e Barrikadave tanimë kanë nisur për shkollën e re “Sami Frashëri”. Ndërkohë, në datën 26 qershor 2020 ministri i Shtetit për Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj prezantuan projektin për rindërtimin e shkollës “Sami Frashëri”. “‘Samiu’ kthehet me një turn dhe bëjmë 50 klasa”, tha Veliaj, në nisje të punimeve. “Sot është një ditë e shënuar për jo thjesht arsimin e Tiranës, jo thjesht arsimin e Shqipërisë, por për të gjithë qytetarët që kthejnë një ëndërr në realitet”, u shpreh Ahmetaj.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e pranishme në ceremoninë e nisjes së punimeve u shpreh se “jam e lumtur që jam sot këtu për të finalizuar një ndër projektet më të rëndësishme, ndërtimin nga e para të shkollës “Sami Frashëri”. /