Kryeministri Rama ka pritur në një takim Ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio. Në një konferencë për mediat ai tha se Italia është pranë Shqipërisë në momentet më të vështira si dhe në këtë moment për të siguruar vaksinën anticovid.

“U gjendën brenda shumë pak kohe në zonën e fatkeqësisë duke sjellë shpresë dhe duke shpëtuar jetë njerëzish. Nuk mundem të mos e kujtoj këtu edhe përfshirjen e mikut tonë Luigi Di Maio dhe kryeministrit Conte duke shprehur mbështetjen maksimale edhe në Konferencën e Donatorëve. Sot ndajmë së bashku edhe eksperiencën që po ndan e gjithë bota të përballjes me armikun e padukshëm, COVID-19. Dua ta falenderoj ministrin për gatishmërinë për të qenë krejtësisht i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës për të cilën e gjithë bota është vendosur në lëvizje. Siç e kam thënë edhe më parë, Italia falë lidhjes që ka me Shqipërinë është pranë nesh, siç është dhe BE pranë Ballkanit Perëndimor. Sot kemi folur me ministrin për temën e bashkëpunimit. 10 vjet si sot është nënshkruar partneriteti strategjik Shqipëri-Itali.

Ne duam të nxisim dialogun në fokusin e temave të bashkëpunimit mes dy vendeve mbi planin e investimeve për Ballkanin, transport dhe infrastrukturë dhe energji e digjitalizim. Italia ka vullnetin për të qenë pranë nesh. Herët ose vonë ne do të përcaktojmë partnerët strategjik në këtë rrugë. E fundit, por jo nga rëndësia, dua ta falenderoj ministrin personalisht, është i angazhuar jo thjesht politikisht por edhe personalisht për të qenë avokat i shkëlqyer i integrimit në BE të Shqipërisë” – Rama.