Kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi tha për ATSH, se në zgjedhjet e 25 prillit, do të ishte mirë që opozita të kishte një listë dypalëshe: LSI me aleatët e vet, ata që janë më afër të majtës dhe PD-ja me të djathtët e vet, me një listë tjetër.
Në lidhje me koalicionet opozitare në një listë të përbashkët, Shehi tha se për opinionin publik, sigurisht që një listë e përbashkët siguron një projeksion force.
“Andej është Rama, këndej janë të gjithë bashkë dhe nuk do shikoja gjë të keqe. Por në rastin konkret për arsye taktike, meqë këtu ka pretendime shumëpalëshe, unë do të pranoja dhe një listë dypalëshe. LSI me aleatët e vet, ata që janë më afër të majtës dhe PD-ja me të djathtën e vet me një listë tjetër, por gjithsesi brenda një harku të madh opozitar me një marrëveshje të madhe politike parazgjedhore dhe paszgjedhore, që do hyjë bashkë kundër qeverisë së rilindjes dhe do dalë bashkë për të bërë qeverinë e re që do të bëjë përmbysjen në Shqipëri”, theksoi ai.
Në lidhje me aleancat e LZHK-së, Shehi tha se partia që është me afër pozicionit të saj është Partia Demokratike.
“Ne përbëjmë krahun më të djathtë të kësaj opozite dhe këto tema, si të përndjekurit dhe pronarët janë tema të rëndësishme për ne sepse ky është tabani ku ne mbështetemi. Nuk janë vetëm këto, sepse do ishte reduktive të themi se e djathta shqiptare është thjesht për pronat dhe të përndjekurit. Ne jemi në radhë të parë për shtetin shqiptar, që ka 30 vite që tenton me vetveten dhe nuk u bë kurrë shtet si duhet të jetë. Shtet do të thotë, institucione të pavarura, institucione të forta, institucione që qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, jo të jetë kjo rrumpalla që është sot”, tha ai.
Ai shtoi se kryeministri i ka marrë të gjitha, ka marrë parlamentin, pushtetin lokal, madje dhe presidencën e ka rrethuar.
“Nuk është se ne mbrojmë Ilir Metën, ne mbrojmë Presidencën si institucion që duhet të jetë i pavarur. Kështu nga kjo pikëpamje, detyra e LZHK-së, e PD-së dhe e gjithë krahut të djathtë është të rindërtojë shtetin me institucione. Brenda këtyre institucioneve, brenda shtetit të ri shqiptar, një nga temat e para që duhet të merremi është mbyllja definitive e çështjeve të pronave me të cilat është abuzuar 30 vite, përveç 50 viteve të komunizmit. Ka qenë një teatër shpeshherë bosh. Pa substancë. Pronat këtu as nuk janë kthyer, vetëm pjesërisht me një problematikë shumë të madhe. Kanë krijuar tension social, kanë krijuar probleme ekonomike për gjithë shoqërinë shqiptare dhe kanë krijuar një amoralitet. Sot kemi miliarderë që u bënë për 10 apo 20 vite”, tha ai.
Shehi tha se LZHK e ka shumë të qartë problemin e pronave dhe të përndjekurve dhe do vazhdojë të bëjë presion që brenda programit të së djathtës, këto tema të bëhen dominante.
“Ne, e kuptojmë shumë mirë që për 30 vjet shoqëria ka ndryshuar, politika po ashtu, dhe për interesa elektorale ka shtresa të tjera që duhet të merret PD me seriozitet, por ama kjo nuk do të thotë t’i abandonojmë, se kjo çështje nuk është mbyllur. Kur flasim për të përndjekurit nuk është thjeshtë çështja e pagesave. Problemi i të përndjekurve është më i thellë, janë çështjet e lustracionit pasi ata që u dënuan janë rrugëve. E dyta, rishikimi i të gjithë historisë. Sot e kësaj dite kemi disa “heronj” dhe disa tradhtarë. Heronjtë nuk e dimë sa janë, tradhtarët i njohim të gjithë. Të vrarët e tradhtarëve janë të gjithë atje, vetëm varret nuk u dihen. Ka ardhur dita të rishikojmë historinë e Shqipërisë, jo në sensin negativ për të rrëzuar disa nga piedestali por për t’i kthyer normalitetin një vendi, një historie”, tha ai.
Në lidhje me heqjen e koalicioneve parazgjedhore, Shehi tha se kjo u bë nga Rama për të marrë pushtet për të fituar 3-4 deputetë të cilët nga skema, nga taktikat elektorale, nga ky ligj që është sot i përfiton ai
“Ky ligj është i gabuar dhe mua më vjen keq që ne si opozitë nuk ishim të zotët të shtymë deri në fund për ta rindërtuar ligjin. Një ligj të mirë jo vetëm për opozitën, por për të gjithë shqiptarët, dhe praktikisht po hyjmë në zgjedhje me një ligj, pak a shumë si i vjetri. Sigurisht kemi marrë disa garanci më tepër për numërimin e votave, ruajtjen e votave por produkti është i cunguar”, tha Shehi.
Në lidhje me heshtjen e opozitës për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, Shehi tha se heshtja ka ardhur në një farë mënyre për t’i bërë qejfin komunitetit ndërkombëtar, për t’i thënë që nuk është opozita këtu që bën zhurmën. “Ne jemi kaq të sigurt në fitore që jemi gati të hyjmë në zgjedhje edhe me kushte e cunguara të Edi Ramës”, u shpreh ai.
Në lidhje me partitë e reja, Shehi tha se gjykon se të gjithë kanë të drejtën të provohen, ky është një realitet i demokracisë dhe demokracia mbështetet mbi këto ide dhe liri.
“A është momenti për të dalë në vete a do të kontribuojnë për demokracinë, kjo ka vetëm një metër, raporti me Edi Ramën, me qeverinë e majtë. Mund të mos u pëlqejë Basha, s’ka gjë të keqe. Edhe mua s’më ka pëlqyer Berisha për shumë vite, por asnjë herë nuk më janë puqur idetë me të majtën”, tha ai.
Shehi shton se “unë do iu bëja thirrje partive të reja të bashkohen me të djathtën por është në dorë të atyre. Vërtetësia e kësaj teze nuk varet nga shumë gjëra, varet nga një gjë e thjeshtë, çfarë raporti kanë me Edi Ramën”.
“Për sa kohë do jenë kundër Ramës, mendoj se janë kontribuues në demokracinë shqiptare. Përsa kohë do rrëshqasin për hir të inateve ku mund edhe të kenë të drejtë, por nëse “prej inatit të vjehrrës shkojnë me mullixhiun”, them se bëjnë një gabim për veten e tyre”, përfundoi Shehi.