Nga Alfred Peza/

Ku ishe ti në orën 03.56 të 26 nëtorit të vitit 2019? Si e përjetove tërmetin ato sekonda që dukeshin sikur nuk do të mbaronin kurrë? Kush ishte gjëja e parë që bëre? Po gjëja e parë që mendove? Si dole nga vendi ku ishe duke fjetur? Kush ta nisi sms e parë? Kujt ia bëre telefonatën e parë pasi dole jashtë? Si e përjetove kur mësove se kishin mbetur qindra nën rrënoja? Çfarë mendove kur mesove lajmin se skuadrat e shpëtimit nxorrën gjallë, pas disa ditësh, dikë prej tyre?

Këto dhe shumë pyetje të tjera, do ta shoqërojnë gjatë brezin e sotëm të shqiptarëve, edhe për shumë e shumë vite të tjera. Sot u mbushën 365 ditë nga ai moment gati apokaliptik. Një vit kalendarik duket pak në jetën e një njeriu, e jo më të një shteti, të një populli a të një kombi. Por kur lidh atë me një prej tërmeteve më të tmerrshme që është regjistruar në këtë truall, sigurisht që çdo ditë që ka kaluar të duket sa një vit, çdo javë një dekadë, çdo muaj një shekull dhe një vit sa një mijëvjeçar.

Distancimi kohor sot është i mjaftueshëm, për të bërë një bilanc tjetër. Është koha për të parë, jo më atë që ndodhi për të mos u harruar kurrë, por mënyrën sesi reagoi jo vetëm qeveria, pushteti lokal e ai qëndror, apo institucionet shtetërore. Por, edhe shoqëria civile, media, opozita apo kushdo aktor dhe faktor tjetër, në jetën e këtij vendi.

Si të mos mjaftonte tërmeti, sapo kishin kaluar dy muaj, nisi edhe mbyllja e detyrueshme totale e jetës normale shoqërore, social- ekonomike dhe gjithçkaje tjetër, për shkak të pandemisë globale nga covid-19. Duke e rënduar akoma edhe më shumë qytetarin, e duke e bërë barrën e qeverisë dyfish më të rëndë dhe përgjegjësinë e saj përpara shqiptarëve dhe historisë, shumëfish më të madhe.

As vizitat e përditshme të Kryeministrit Edi Rama në terren pranë njerëzve në të gjithë hapësirën e prekur nga tërmeti, as takimet e tij të pandërprera me shtabet e menaxhimit të situatës, ekipet e huaja dhe shqiptare të shpëtimit, as ndihma pranë kampeve të strehimit në kushtet e emergjencës dhe as solidariteti i jashtëzakonshëm i shqiptarëve anëmbanë globit me të dëmtuarit, nuk do të kishte vlerë nëse nuk do të hidhej kryehapi që erdhi më pas.

Konferenca ndërkombëtare e donatorëve për projektin e madh të Rindërtimit nga tërmeti, kaloi çdo pritshmëri jo thjeshtë për shkak të shumës prej 1. 15 miliardë euro që arriti të siguronte, por për shkak të gjithëpërfshirjes që arriti të sensibilizonte. Çka tregoi, se Shqipëria nuk është vetëm, por ka në krah në momentet e saj më të vështira shumë miq, dashamirës e partnerë kudo në botë.

Por as kjo nuk mjafton, po të kemi parasysh, sesa e sa konferenca të tilla kanë mbetur thjeshtë kujtime në arkiva apo letra për të mos arritur që të vihen kurrë në jetë në raste të ngjashme, apo më pak të ngjashme me tërmetin e një viti më parë në Shqipëri. Ajo që e bën këtë ngjarje, gati për tu shndërruar nesër në një histori suksesi, është ajo që nisi të ndodhte pas kësaj në terren. Atje ku gjithë kush mund të shohë sesi në Durrës po marin jetë 32 shkollat e reja e në Tiranë, 22 të tjera nga 155 që do të ndërtohen në total. Sikundër në qytetin bregdetar janë rikonstruktuar 458 pallate, nga 615 të dëmtuara.

E gjithë hapësira e dikurshme e shkatërruar nga Rrogozhina, Gosa, Kavaja, Tirana, Kamza, Rrashbulli, Bubqi, Laçi e Lezha është shndërruar në një megakantier ndërtime. Prej ku kanë dalë nga nëntoka, themelet e shtëpive dhe pallateve të reja ku qindra familje dhe mijëra banorë, do ti kalojnë festat e këtij fundviti, në banesat e tyre të reja të ngritura nga e para. Edhe më të forta, edhe më të bukura edhe më të mëdha, se ato që u rrafshuan.

Për ti hapur vendit në vitin e ri që po troket, një prespektivë të re, që rreket ta shndërrojë tragjedinë, në një mundësi të re e të jashtëzakonshme për zhvillimin që rilind nga rrënojat. Pas kësaj, askush nuk kërkon as fleta lavdërimi, e as vota për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Turpi do të mbetet përjetë, vetëm për ata që kërkuan të përfitonin nga dhimbja e tragjedisë, për ca klikime më tepër, për ca audiencë më shumë e për të përfituar politikisht me shpresën se përmes lojës me fatkeqësinë e djeshme të tjetrit, do ngrenë lumturinë e tyre të nesërme! (Alpenews.al)