Nesër, kur mbushet një vit pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë, procesi i Rindërtimit për kthimin e familjeve në shtëpitë e reja po vijon me ritme të larta në 11 bashki.

Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara u shpreh se edhe pse një vit i sfidave të mëdha, Bashkia nuk ndaloi për asnjë moment punët e përditshme në shërbim të qytetarëve dhe investimet e shumta si asnjëherë më parë.

Falë këtyre investimeve, theksoi Cara, Kurbini do të ketë një tranformim total. Gjatë këtij viti, është investuar në 10 institucione arsimore, ndërtimin e ambulancës, dhe kopshtit nr 1 në Mamurras spitalit dhe godinës së bashkisë. Në dy zonat zhvillimore ku parashikohet ndërtimi i 800 apartamenteve dhe 465 baneave individuale po investohet për ndërtimin e infrastrukturës.

Po punohet, thotë ajo, për rindërtimin e 465 banesave individuale, përforcimin strukturor për 40 pallate, rikonstruksionin e hapësirave të përbashkëta për 200 godina pallatesh. Ndërkohë, 1615 familje trajtohen aktualisht me bonus qiraje.

Sipas Carës, zona për zhvillim në Laç parashikon ndërtimin e 524 apartamenteve, financim i qeverisë turke, shkollën e re, qendër biznesi, parking nëntokësor dhe godinën e re të Bashkisë.

Me fondet e buxhetit të shteti, shprehet Cara, u bë e mundur ndërtimi i shkollës së re “Dan Bajrami” në Gjorëm dhe “Arif Sulaj” në Mamurras. Krahas këtyre në bashkinë e Kurbinit po ndërtohet edhe spitali i ri.

Cara thotë se procesi i Rindërtimit po ecën me ritme të shpejta edhe në objektet arsimore që financohen nga Bashkimi Europian në shkollat “Gjok Elezi” në Sanxhak, Demokracia në Mamurras “Cup Capani” në Malbardhë, “28 nëntori” në Fushë Milot dhe kopshtin e fëmijëve në Laç.

Po ashtu, në bashkinë e Laçit është hapur edhe kantieri për ndërtimin e ujësjellësit të ri të këtij qyteti. “Ky është investimi i parë nga qeveria shqiptare që prej vitit 1981 mbi një infrastrukturë të vitit 1965, e cila do të zëvendësohet tërësisht duke bërë të mundur furnizimin pa ndërprerje me ujë për 30 mijë banorë”, deklaroi Cara.

Njëkohësisht, po investohet në ambulancat e njësive, Gore e Skurraj dhe ndërtimin me standarde bashkëkohore të godinës së re të Shërbimit të Transportit.

Jashtë vëmendjes së bashkisë, thotë Caraj, nuk ka mbetur as investimi në rrugët rurale apo kanalet vaditëse e kulluese.

Kryetarja e bashkisë, po ashtu informoi se së shpejti do të nisë nga zbatimi edhe projekti për rikualifikimin e përroit të qytetit, një problem ky shumëvjeçar.

“Ne mund të rrëzohemi, por dimë të ringrihemi edhe më të fortë së bashku! Të gjithë bashkë, me kontributin e gjithë secilit prej nesh, dhe me mbështetjen si asnjëherë tjetër në këto 30 vite të qeverisë shqiptare e angazhimin personal të Kryeministrit Rama, ne mund dhe do ta ndërtojmë Kurbinin! Kurbinin e ri, Kurbinin që duam për fëmijët tanë, më të bukur e më të fortë! Ashtu siç i ka hije”, deklaroi Cara.