Kryeministri Edi Rama ishte sot në Lanabregas, Tiranë, në një nga familjet që hyn në shtëpinë e re, pas dëmtimit nga tërmeti. “Familja e Beharit në Lanabregas hyn në shtëpinë e re, sepse ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, tha Rama. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se “në këtë zonë bashkia do merret edhe me urbanizimin e zonës. “Ka qenë zonë informale, kryesisht të ardhur nga veriu, tani që po mbarojmë shtëpitë kryesore do të fillojmë urbanizmin e gjithë rrugëve në këtë komunitet. Ne kemi 235 banesa, ky është loti i parë me mbi 40 shtëpi”, tha Veliaj.

Ndërkohë ai informoi se sapo mbaruam pilotat te gjimnazi “Sami Frashëri” dhe tani fillojmë nga themelet. “U mërzitën pak ata në Paskuqan se ishin mprehur se do të shkonte shkolla atje. Na u desh të sqaronim që ishte e gjithë pjesa e rrokullisë që ndodh. Ne patëm edhe nga prindërit e ‘Sami Frashërit’ peticion që të mos shkojë shkolla në Paskuqan. Një politikan mund të thotë një idiotësi dhe merr më qafë një komunitet të tërë. Tani mbaruan pilotat dhe me mbarimin e pilotave mbaroi edhe varja te kangjellat e ‘Samiut’ të politikanëve. U them që nëse ambicia është të bëhen brigadierë bashkie ne kemi vend për punë”, tha Veliaj.

Ai tha se ndërkohë do të fillojmë me shkollën “Lasgush Poradeci”, në Kombinat. ‘Javën tjetër kalon VKM për shpronësimet që të fillojmë dhe aty si tek te ‘5 Maji’. Te ‘5 Maji’ po ecën puna, kemi pasur disnivel dhe po punojmë me atë, ndërkohë që gjithë banorët që preken, si në Kombinat dhe te ‘5 Maji’ do të trajtohen me banesë që të urbanizohet njëherë e mirë ajo zonë. Të mos jetë vetëm për ata të tërmetit, por një lagje që akomodohen edhe ata ekzistues. Rrumpalla nuk vazhdon më, ne do bëjmë urbanizim, por do ta bëjmë në mënyrë të kontrolluar”, tha Veliaj.