Sa kushton Covid 19, terapia, vaksina dhe rimbursimi i pacientëve ishin temat e diskutimit në studion e emisionit Java në RTSH këtë të premte. Shefja e Survejancës pranë ISHP, Eugena Tomini, tha të premten mbrëma se në spitale ka ende 20% të kapaciteteve të pashfrytëzuara dhe se spitali Covid4 nuk është hapur ende. Ajo shtoi se një karantinë si ajo e marsit do të ishte zgjidhja e fundit.

“Puna e autoriteteve sa i përket situatës me pandeminë është e vështirë dhe e komplikuar. Aktualisht janë me dhjetëra njësi në terren që merren me hetimin epidemiologjik. Covid është një shqetësim mbarëbotëror” – tha ajo.

Lidhur me akuzat e kryedemokratit Lulzim Basha, se spitalet po fshehin vdekjet e pacientëve të infektuar, Tomini u tregua e prerë. Ajo tha se për rastet e humbjeve të jetëve zbatohet protokolli dhe se nuk ka asnjë fshehje shifrash.

“Si mjeke po ju them se nuk mundemi që të fshehim apo tjetërsojmë një vdekje për arsye se nga ana ligjore dhe asaj profesionale nuk më lejohet që në mbylljen e kartelës kundrejt morgut të bëj një veprim të tillë. As unë dhe as kolegët e mi e kemi të pamundur ta bëjmë diçka të tillë” – tha Eugena Tomini.

Ajo shtoi në studion e “Java në RTSH” se çdo rast shoqërohet me skedën e vdekjes dhe nga ana tjetër çdo familjar pyetet nëse duan autopsi në rast të dyshimeve.

Ndërkohë duke u ndalur te paketat e rimbursimit të medikamenteve, deputetja Milva Ekonomi u shpreh se ky proces nis që këtë vit duke përdorur buxhetin e vitit 2020.

Ajo shtoi se në rimbursim do të përfshihen vetëm të prekurit që nga momenti kur ka dalë vendimi i qeverisë.

“Pandemia na tregoi se e-Shërbimet i përkasin qytetarit të Shqipërisë. Unë mendoj që në këtë moment ajo që na duhet fokus i fortë te shkenca. Shkenca e ka të panjohur kovidin, por e ka më të njohur sesa njerëzit e thjeshtë. Prandaj edhe pretendimet e opozitës nuk mund t’i diskutojmë në hapësira të tjera. Sepse grupi i ekspertëve dhe njohësve të Covid është një dhe janë të grumbulluar. Shkenca mbron qendrimin e vet dhe duhet të jetë qeveria që të ndjekë mendimin e shkencës” – tha Ekonomi.

Nga ana tjetër, përmes një lidhje Skyp, pediatrja Gjeorgjina Kulli apeloi që prindërit të rrinë në kontakt me mjekët e familjes dhe pediatrit kur kanë fëmijë të infektuar. Anëtarja e Komitetit Teknik shtoi se pediatria po bën më të mirën për të gjithë pacientët e vegjël.

Për më tepër ndiqni emisionin e plotë:

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”https://www.youtube.com/embed/fbZetaaGgf8″ frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture” allowfullscreen></iframe>