Traktati i Komunitetit të Transportit organizoi në Tiranë një takim prezantues të Planeve të Veprimit për rrugët, sigurinë rrugore, hekurudhat, lehtësirat në transport dhe në pikat kufitare. Për shkak të kushteve të pandemisë Covid-19 takimi u zhvillua përmes platformave online, ndërsa të pranishëm ishin Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ambasadori Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek si dhe ekspertë të fushës, të cilët diskutuan mes tyre për sfidat dhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit për të përmirësuar më tej sektorin e transportit.

Ministrja Belinda Balluku në një postim në rrjetet sociale, referuar takimit të zhvilluar, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit për të zhvilluar dhe forcuar fushën e transportit në çdo sektor të tij, teksa e cilëson mbështetjen e Bashkimit Europian si shenjë të angazhimit serioz të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Përmes një takimi hibrid, zhvilluam sot në Tiranë, Transport Community Action Plans Road Shoë. Bashkëpunimi konstruktiv që tashmë kemi vendosur mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm, mbështetur fuqishëm nga BE në fushën e transportit, do të sjellë rritje ekonomike për rajonin dhe integrim më të shpejtë në BE. Vlerësoj përkushtimin dhe shpirtin e skuadrës së injektuar nga Drejtori Zakonjsek, për të çuar përpara këtë bashkëpunim në fushën e transportit në çdo sektor. Prezenca e ambasadorit Soreca dhe Zv. Drejtorit të Përgjithshëm Baldëin, tregojnë dhe një herë angazhimin serioz të BE në Ballkanin Perëndimor, sidomos pas vendimit për të mbështetur me 40% më shumë grant bashkëfinancimin e projekteve të transportit rrugor”, shprehet Balluku.

Gjatë diskutimeve të mbajtura palët ndanë mendimin e përbashkët sa i takon shkëmbimit të eksperiencave mes vendeve dhe rritjes së bashkëpunimit për t’ju përgjigjur sfidave të së ardhmes.

Tirana ishte ndalesa e parë e takimeve të këtij lloji, të organizuara nga Komuniteti Transportit, i cili i hap rrugë implementimit të planeve të veprimit që u prezantuan gjatë diskutimeve të zhvilluara ditën e sotme.

Viti i ardhshëm, 2021, do të jetë viti Hekurudhor i Bashkimit Europian dhe në këtë kuadër Shqipëri ka hedhur një hap të rëndësishëm përpara. Tashmë projekti për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas ka avancuar ndjeshëm, ku është shpallur edhe kompania fituese për ndërtimin e kësaj linje.

Planet e veprimit të hartuara janë në përputhje të plotë me planin ekonomik të investimeve të Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor, të cilët kontribuojnë në konjektivitetin mes vendeve të rajonit si dhe janë një hap i rëndësishëm në rrugën europiane të këtyre vendeve.