Kanë mbetur më pak se dy ditë nga 3 nëntori që shënon momentin final të zgjedhjeve presidenciale amerikane të këtij viti. Një betejë mes republikanit Trump që kërkon një mandat të dytë presidencial dhe demokratit Biden, drejt së cilës ka kthyer sytë e gjithë bota.

Joe Biden është në avantazh dhe kryeson aktualisht sondazhet me mbi 51%. Megjithatë diferenca ka rënë në rreth 8 pikë përqindjeje në favor të tij. Është ngushtuar me të paktën 2 pikë përqindjeje krahasuar me fillimin e tetorit, kur Biden ishte 10 pikë para Trumpit.

Vendimtare megjithatë është vota e kolegjit. Beteja duket se do të jetë e përqendruar në të paktën 8 shtete federale ku elektorati është i paqëndrueshëm.

Mes tyre në Florida që ka luajtur rolin kyç në votimin e anëtarëve të kolegjit në disa zgjedhje të viteve të fundit dominohet në sondazhe nga Joe Biden me 1.9 pikë përqindjeje më shumë se Donald Trump.

Diferenca megjithatë është brenda marzhit të gabimit që është minimalisht 2%. Sondazhet tregojnë se vetëm Ohajo dominohet nga Trump. Në votimin e hershëm kanë votuar një shifër rekord prej mbi 91 milionë zgjedhësish, 2/3 e pjesëmarrësve të 2016-ës.