Nga Alfred Peza/
Në mungesë të mbështetjes popullore për shkak të humbjes së besueshmërisë publike, opozita shqiptare prej mbi 7 vjetësh i është falur miteve të rreme, si e vetmja mundësi për ti rikthyer në pushtet. Më e fundit, është ajo që lidhet me historinë e zgjerimit të gjerësisë së detit territorial të Greqisë, me 12 milje detare. Bëhet fjalë për hapësira ujore përgjatë brigjeve greke, për të cilat nuk ka pretendime, por edhe nëse ka kushdo mund të ankohet në çdo kohë!
Që kjo është një e drejtë e shtetit grek, ashtu siç ka qenë edhe e drejta e Shqipërisë që të bëjë të njëjtën gjë 10 herë me radhë që nga viti 1946 e deri më sot, pranohet edhe nga opozitarët tanë. Por ajo që po tentohet të manipulohet me opinionin publik prej tyre, për arsye të përfitimeve elektorale, është se këtë duan ta shesin si një vendim që është marë pa na pyetur ne. A thua se Sali Berisha ka pyetur Athinën, kur miratoi ligjin me Nr. 60, për 12 miljet shqiptare në detet Adriatik e Jon në vitin 2012?!
Këtë “ngatërresë” po e bëjnë me koshiencë duke përdorur një mit të rremë, që të fshehin prapa saj, diçka reale. Duan të fshehin një vendim tjetër që e kanë bërë vetë. Duke dashur të fajësojnë këtë radhë Edi Ramën, besojnë se kështu do të vendosin shenjën e barazimit mes marrëveshjes së 2009 të Sali Berishës, Lulzim Bashës e Ilir Metës që rrëzoi Gjykata Kushtetuese, me këtë të sotmin.
Por nuk u ecën, sepse për të gjithë ata që kanë dy pare mend, e vërteta është fare e thjeshtë: Ajo marrëveshje e atëhershme e pambyllur ende mes Tiranës e Athinës, nuk është shqyrtuar ende, sepse i ka kaluar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Kaq. Ndaj është e kotë që të shesësh si “tradhëti të madhe kombëtare” apo si “marrëveshje të fshehtë”, një dokument që as ka dhe as ska përse të ketë, ndonjë firmë liderësh shqiptarë.
Por pse e bëjnë liderët e opozitës sonë këtë “ngatërresë”, e për rrjedhojë propaganda e saj e mediat pranë tyre? Për një arsye fare të thjeshtë: Është në natyrën e atyre që nuk arrijnë të fitojnë dot përmes të drejtës, përmes provave dhe fakteve, përmes forcës së moralit, përmes të vërtetave të shkruara e zeza mbi të bardhë, që ti falen teorive konspirative. Fake news-eve. Miteve të rreme. Gënjeshtrave dhe banaliteteve kësisoj.
Mbi të gjitha opozitarët tanë i janë falur sistematikisht pas 2013 miteve të rreme. Për arsye se aty ndihen më familjarë dhe notojnë më të sigurtë, me shpresën se do arrijnë që të dalin një ditë pa lagur, në bregun e pushtetit të shumëndërruar. Mitet e rreme janë bindje ose besime kolektive që nuk bazohen mbi fakte. Përdorimi i tyre shoqërohet me legjendën, me fantazinë, foklorin, të dhënat konfuze, dëshirat personale dhe legjendat urbane.
Duke i veshur mitet e tyre të rreme me ambalazh me shkelqim kallp, opozitarët besojnë se shqiptarët janë aq budallenj sa ta hajnë sapunin e tyre për djathë. Është kjo edhe arsyeja se përse po përdorin të njëjtën teknologji mashtrimi publik edhe këtë radhë, me vendimin e fundit të Greqisë për zgjerimin e gjerësisë së detit në territorin e saj, me 12 milje detare. Bëjnë sikur harrojnë, që edhe Republika e Shqipërisë po kaq e ka po 12 milje, që e caktoi Sali Berisha një vit para se të ikte nga pushteti.
Kjo është e vërteta e thjeshtë. Një e vërtetë nga e cila opozitarët tanë do të fitonin shumë herë më tepër pike publike, politike dhe elektorale nëse do ua thonin qytetarëve ashtu siç është. Vetëm kështu do të gëzonin më shumë simpati, sepse do të tregonin bashkë me të vërtetën e thjeshtë; edhe realizëm, edhe seriozitet, edhe përgjegjësi publike edhe nacionalizëm modern, nëse u duhet edhe kjo.
Kjo historia e miteve të rreme me shitje ujërash detarë, me shitje kufijsh, me harta imagjinare për ndarje, shitje e falje territoresh shqiptare në Ballkan, as u ka ecur e as ka për tu ecur. Për një arsye të thjeshtë: Mos prisni që të fajësoni për gjëra të tilla, një forcë politike si PS, që çoi në gjykatë ku u shpall antikushtetuese, një marrëveshje që liderët tanë opozitarë e bënë vetë, e firmosën vetë dhe vazhdojnë që ta mbrojnë po vetë.
Berisha, Basha dhe Meta nuk janë distancuar ende nga kjo marrëveshje antikueshtuese. Nuk kanë kërkuar falje e as nuk e pranojnë që kanë gabuar. Çka tregon se nesër, nëse do jenë sërisht në pushtet, janë gati ta bëjnë atë sërisht. E sërisht. E sërisht. Ndaj është e kotë sot në opozitë pa asnjë provë e fakt, që të akuzojnë për diçka që e ke bërë vetë me firmën e tyre, kundërshtarin tend politik në mazhorancë.
Nëse e kanë seriozisht, këtë furtunën e radhës në gotë, e kanë tashmë shumë të thjeshtë: Le ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, siç bëri Edi Rama dhe PS me marrëveshjen e tyre të 2009 me Greqinë dhe ta rrëzojnë. Kështu po që mund të barazohen! (Alpenews.al)