Agjencia Evropiane e Ilaçeve, EMA pritet të marrë një vendim pozitiv për vaksinën e Pfizer-IT dhe BionTech-ut më 23 dhjetor, tha një burim nga qeveria gjermane për agjencinë e lajmeve Reuters, çka i vendos vendet e bllokut në pozicion të afërt me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, ku fushata e imunizimit ka filluar.

“Po, EMA do të ketë përfunduar punë më 23 dhjetor”, tha burimi, duke iu referuar procedurave të vlerësimit të vaksinës nga agjencia. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn tha në një konferencë për shtyp se ai shpresonte në miratimin e një vaksine në BE para Krishtlindjes, duke hapur rrugën për vaksinimin para fundit të vitit. EMA tha në fillim të muajit se planifikonte të jepte një vlerësim për vaksinën e Pfizer-it dhe BionTech-ut më 29 dhjetor dhe për atë të Modernës në mes të janarit. Vaksina e Pfizer-it ka filluar tashmë të administrohet në SHBA, Britani dhe Kanada pas vendimeve pozitive të rregullatorëve atje. Gjermania, që pas suksesit në pranverë po sheh tani t’i rriten shumë shifrat e infektimeve dhe viktimave, rriti presionin mbi autoritetet e BE-së që të përshpejtohet miratimi i vaksinës. Zyra e kancelares Angela Merkel dhe Ministria gjermane e Shëndetësisë, sipas raporteve kanë kërkuar që EMA të afrojë datën e miratimit të vaksinës së Pfizer-it dhe Biontech-ut duke e zhvendosur atë nga 29 dhjetori, në 23 dhjetor.

Irritimi i Berlinit është më i madh edhe për shkak se BionTech është një kompani gjermane ndërsa vetë gjermania po përgatitet të hyjë në një izolim të pjesshëm, duke filluar nga e mërkura, me dyqanet jo të domosdoshme dhe shkollat që do të mbyllen dhe do të qëndrojnë kështu edhe për krishtlindje dhe festën e vitit të ri.