04 Dhjetor- Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, siguroi se testet e shpejta të mbërritura në Shqipëri për pandeminë janë të çertifikuara ndërkombëtarisht. Në një lidhje për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Fico tha se me këto teste gjurmimi i rasteve do të jetë më i lehtë dhe vendimin për kryerjen e këtij testimi do ta këtë epidemiologu e më tej mjeku i familjes.
“Nëse e mbani mend, ka patur gjithmonë një presion për të futur në testim testet e shpejta. Ne kemi pritur edhe që të vijmë tek cilësia e testeve që janë të certifikuar ndërkombëtarisht. Testi i antigenit, ndryshe nga PCR ka në vetvete dedektimin ose gjetjen e një proteine që vjen nga prezenca e virusit. Është 99-100% e njëjtë me atë të PCR. Lehtëson gjurmimin. Është i arritshëm, bëhet përmes një tamponi nga hunda dhe nga goja dhe ky material futet në një tub të caktuar. Është diçka si testi i shtatzanisë. Është e bëshme, ka rezultate shumë të mira. Testet që po i ofrohen popullatës shqiptare janë të certifikuara. Numri i shtuar i testeve të shpejta nuk ka përjashtuar pas dere PCR, me të cilin do të punojmë në të gjitha rastet spitalore të rëndësishme, ato raste që duhen konfirmuar. Testet e shpejta do të përcaktohen nga mjeku i familjes. Ai do të gjykojë nëse do të kryejë një testim të shpejtë apo rasti do të dërgohet tek 127″ tha Fico.
Me herët Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se duke filluar nga e hëna do të aplikohet testimi i shpejtë i antigenit. Në Shqipëri mbërritën 100 mijë teste të shpejta për COVID dhe përdorimi i tyre do të nisë nga Tirana.