Ambasada e Rusisë në Tiranë ka njoftuar zyrën e shtypit të Kryeministrit Rama, se Rusia ka marrë autorizimin për të negociuar me vendet të cilat janë të interesuara të sigurojnë vaksinën kundër koronavirusit. Selia diplomatike thekson se është e gatshme për ta bërë diçka të tillë në Shqipëri.

“I nderuar z. Endri Fuga, Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte (https://rdif.ru/Eng_Index/) është autoruzuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri.

Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera”, thuhet në kërkesën e Ambasadës Ruse.