Grupi farmaceutik britanik AstraZeneca deklaroi se kishte gjetur “formulën ” për të përmirësuar efektivitetin e vaksinën së saj kundër COVID-19. Laboratori britanik njoftoi në nëntor se vaksina e tyre ishte mesatarisht 70 për qind efektive në provat klinike krahasuar me më shumë se 90 për qind për vaksinat nga Pfizer / BioNTech dhe Moderna, të cilat të dyja janë autorizuar tashmë për përdorim në disa vende.
Rezultatet e provës klinike të ndërmjetme treguan ndryshime të mëdha në të dhëna për shkak të dy protokolleve të ndryshme: efikasiteti ishte 90 përqind për vullnetarët që fillimisht morën një gjysëm dozë dhe më pas një dozë të plotë një muaj më vonë, por vetëm 62 përqind për një grup tjetër të vaksinuar dy doza të plota.
Rezultatet ishin kritikuar sepse injeksioni i një gjysmë doze ishte për shkak të një gabimi dhe një grup relativisht i vogël kishte ndjekur këtë protokoll. Kompania më pas njoftoi se vaksina e saj kërkonte “një studim shtesë”.
Por Pascal Soriot, shefi ekzekutiv i AstraZeneca, siguroi se vaksina e kompanisë siguronte “100% mbrojtje” kundër formave të rënda të Covid-19. “Ne mendojmë se kemi kuptuar formulën si të rrisim efikasitetin pas dy dozave”.
Vaksina e Universitetit të Oksfordit / AstraZeneca pritet me padurim në Mbretërinë e Bashkuar sepse është relativisht e lirë dhe mund të ruhet në temperatura më normale ndryshe nga vaksina Pfizer / BioNTech e cila duhet të ruhet në -70 gradë.
Kjo e bën më të lehtë vaksinimin në shkallë të gjerë. Mbretëria e Bashkuar, vendi i parë perëndimor që autorizoi vaksinën Pfizer / BioNTech për shpërndarje në fillim të dhjetorit, po mbështetet në këtë vaksinë të dytë për të vënë nën kontroll përhapjen e një varianti të ri të COVID-19 në vend.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi të Mërkurën se kishte dorëzuar të dhëna të plota për vaksinën e Universitetit të Oksfordit / AstraZeneca në Agjencinë Rregullatore të Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA).
Sipas shtypit britanik, ajo pritet të marrë një vendim në ditët e ardhshme me synimin për të filluar me injektimin e saj nga 4 janari e tutje. Mbretëria e Bashkuar ka porositur 100 milion doza të vaksinës Universiteti Oxford / AstraZeneca, 40 milion doza prej të cilave pritet të jenë në dispozicion deri në fund të Marsit.
Ndërkohë që në total më shumë se 600,000 njerëz kanë marrë tashmë një dozë të parë të vaksinës Pfizer / BioNTech. Suksesi i fushatës aktuale në Mbretërinë e Bashkuar është edhe më vendimtar pasi vendi, një nga më të prekurit nga pandemia me më shumë se 70,000 viktima po sheh një rikthim të virusit.
Autoritetet ia kanë atribuuar këtë ringjallje një mutacioni i cili, sipas një studimi britanik, është 50 deri në 74 për qind më ngjitës dhe çoi në më shumë se 40 vende të mbyllin kufijtë e tyre për udhëtarët në Mbretërinë e Bashkuar.