Pikërisht kur Tirana zyrtare ka shprehur zhgënjimin për ndarjen e vaksinës anti-covid nga BE, Brukseli ka reaguar menjëherë. Komisioneri Europian për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, ka bërë të ditur se vaksinimi në Ballkan do të nisë njëkohësisht me vendet e Bashkimit Europian.
Në një postim në faqen e tij në twitter, Várhelyi ka shpërndarë një njoftim të Komisionit ku bëhet e ditur ndarja e 70 milionë eurosh për vendet e Ballkanit që të sigurohen menjëherë një pjesë doza vaksinash.
Ndërkohë, disa vende të BE-së do të kenë në kujdestari vende të veçanta të Ballkanit për të shpërndarë vaksinën. Sot, Komisioni Evropian miratoi një paketë prej 70 milion eurosh, pjesë e Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA II) për të ndihmuar në financimin e hyrjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat COVID-19 të prokuruara nga Shtetet Anëtare të BE.
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi tha: “Gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar që ne e trajtojmë Ballkanin Perëndimor si partnerë të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke marrë hapa për të mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet më të prekshme në rajon në fillim. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”.