Siç edhe pritej, Britania për shkak të rritjes eksponenciale të rasteve të infektimeve, prej të hënës e ka kaluar me afro dy mijë veta më shumë kulmin e infektimeve gjatë valës së parë të pandemisë në muajin prill.

20.426 veta janë duke u trajtuar nëpër spitalet britanike, krahasuar me 18,974 personat e regjistruar në 12 prill. Këto shifra kanë bërë që Britania, sipas zyrtarëve më të lartë të shërbimit shëndetësor kombëtar, të deklarojnë se vendi aktualisht është në “syrin e ciklonit” të pandemisë. Mbi 41 mijë raste u shënuan ditën e djeshme, pa llogaritur këtu shifrat e Skocisë dhe Irlandës, dhe mbetet të shihet sa do jenë këto shifra sonte në mbrëmje, ku me siguri matematikore do jenë një rekord i ri.

Shumica e infektimeve mendohet se janë shkaktuar nga shtama e re e koronavirusit, një mutacion i zbuluar në Britani dhe që është përhapur edhe në vende të tjera, edhe pse nuk dihet origjina fillestare e tij.

Infektimet janë aq të mëdha dhe shtrimet respektivisht saqë pacientët tashmë po kurohen nëpër autoambulanca për shkak të mungesës së vendeve dhe shtretërve nëpër spitalet e vendit sidomos në Londër. Ndërkohë spitalet fushore të ngritura në pranverë rreth 7 syresh me një vlerë që kapi 220 milionë sterlina, kanë mbetur bosh për shkak të mungesës së stafeve mjekësore dhe janë duke u çmontuar, në një shenjë të re të paaftësisë së menaxhimit të pandemisë, ku qeveria e kryeministrit Boris Johnson është shndërruar në epitomi të saj.