Nga Alfred Peza/
Përballimi i pandemisë globale dhe zbatimi i projektit të Rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, janë dy shinat që diktuan ecjen përgjatë këtij viti kalendarik, të lokomotivës së jetës shoqërore në Shqipëri. Ka qenë një rrugëtim me shumë stacione, përmes mjergullës dhe pasigurive që diktoi katastrofa shëndetësore më e rënda e 100 viteve të fundit për njerëzimin dhe shpresës për një 2021 cilësisht ndryshe. Përtej kësaj fotografie “bardh e zi” të “shkrepur” nga lart, jeta politike shqiptare brenda organizmit të saj të gjallë gëloi si kurrë më parë me gjithë koloritin e ngjyrave, duke reflektuar edhe njollat e së shkuarës, por edhe nuancat e reja të së ardhmes. Kjo tablo na mundëson që të lexojmë mesazhin e vitit të vjetër që përcillet përmes saj, si një këngë sirenash për të na bërë të shohim gjithnjë e më qartë, pikën në horizontin e mbërritjes përgjatë vitit të ri.
Lajmi më i keq që prodhoi viti që po lemë pas, është ai i mungesës së solidaritetit mes palëve politike, edhe përballë sfidave më të jashtëzakonshme që po kalon bashkë me njerëzimin, edhe shoqëria shqiptare. Pandemia që shkaktoi virusi covid-19 në vend të na bashkonte në një front kundër së keqes, u përdor nga opozita, si një mjet për të arritur qëllimet e saj politike dhe elektorale. Ishte një lojë e pisët politike, që synonte të përhapte panik, frikë e pasiguri përmes propogandës së zezë, përmes lajmeve të rreme, përmes sajesave herë të sofistikuara e herë banale dhe përmes miteve të rreme. U tentua që të përdorej çdo mjet dhe çdo metodë, duke nisur që nga kundërvënia e personelit të shëndetësisë ndaj njëri- tjetrit, e deri tek loja ekstreme me të vdekurit dhe statistika të gënjeshtërta me ku foma imagjinare.
Fakt është se Shqipëria e ka përballuar me sukses deri tani këtë luf të kundër virusit vr asës, duket shmangur një katastrofë shëndetësore në radhë të parë, por edhe një krizë social- ekonomike për pasojë, çka mund të ishte edhe skenari më i keq së cilit i janë ruajtur qeveritë e të gjithë shteteve të botës. Statistikat flasin se jemi diku në mesin e artë për nga pasojat dhe mënyra e menaxhimit të kësaj luftë të pashembullt, nga strukturat e shëndetësisë, e të gjitha hallkat e tjera të sistemit që përballen çdo ditë me pandeminë. Përballimi i kësaj prove dhe vijimi me ritme gjithnjë e më të shpejta të projektit të rindërtimit nga tërmeti në trekëndëshin e prekur më tepër të qareve Durrës- Tiranë- Lezhë, e bënë vitin 2020 edhe më sfidues. Përvoja e krijuar nga strukturat shtetërore, ato të qeverisjes qëndrore dhe lokale janë një shkollë e re politike për Shqipërinë, duke i dhënë sistemit një dimension të ri pjekurie, sigurie dhe përvoje në përballimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Shqipëria përveçse virusit që rrezikon ende trupin e qytetarëve të saj, gjatë vitit 2020 kaloi një provë jashtëzakonisht të rëndësishme, në përballimin e një virusi tjetër për trupin e demokracisë sonë të brishtë. Për shkak të sensit të përgjegjësisë së mazhorancës, me mbështetjen e pakursyer edhe të SHBA e BE, opozita shqiptare u rikthye në sistemin politik dhe demokratik të vendit përmes tryezës së Këshillit Politik. Miratimi i reformës së re elektorale, i dha fund endjes rrugëve të PD e LSI dhe projektit të tyre për ta fituar pushtetin përmes pazaresh në tavolinë e jo përmes proceseve zgjedhore që çertifikojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Për herë të parë pas shumë vitesh, Shqipëria ka një kod të ri elektoral të dakordësuar nga palët politike dhe të njohur nga arbitri ndërkombëtar, për nga standardi demokratik dhe garancitë e plota që ofron. Është kjo edhe siguria, për zhvilimin normal të procesit të 25 prillit 2021, që i jep fund çmendurisë opozitare të bojkotit të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.
Kjo dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë që kulmoi me ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, i dha një vlerë tjetër këtij viti politik. Ky hap i vogël për sistemin, është një hap gjigand për Shqipërinë në përmbyllje të reformës historike të drejtësisë dhe hapjes së prespektivave të pandalshme në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Viti që po lemë pas nuk është më i miri për Shqipërinë ashtu si edhe për gjithë botën, por disa nga arritjet më të spikatura të tij, i japin shanse 2021 që po troket të jetë cilësisht ndryshe. Duke na ndihmuar për tu shëruar më shpejt, plaga e madhe që na shkaktoi, ikja e shumë njerëzve të dashur për shkak të covid-19!