Në kuadër të masave antiCovid në Kuçovë ka nisur sot testimi i shpejtë dhe falas për qytetarët. Lajmi është bërë i ditur nga deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj e cila ndër të tjera ka informuar se ekipi i bluzave të bardha në të gjithë Shqipërinë po angazhohen në mënyrë profesionale dhe njerëzore në luftën kundër armikut të padukshëm.

“Ne jemi të vëmendshëm me shëndetin publik dhe të dedikuar për t’i shërbyer maksimalisht. E gjithë histeria mediatike që prodhon politika e baltës, tretet e bëhet hi, para shembujve konkretë të angazhimit të bluzave të bardha dhe jo vetëm, kudo në gjithë Shqipërinë, sakrificës së tyre sa njerëzore dhe profesionale dhe përpjekjeve të Qeverisë dhe Kryeministrit për sigurimin e vaksinës antiCovid, njësoj si vende të tjera të BE-së”, tha Felaj.

“Testimi i shpejtë dhe falas antiCovid, ka nisur sot në Kuçovë, dhe kam kënaqësinë që të ndaj këtë lajm së bashku me urimin për shëndet e tejkalim me sukses të çdo vështirësie të tillë nga të gjithë’’, shprehet Felaj.