Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë në Ceremoninë e Miratimit Virtual për Deklaratën e Osnabrück, mbi arsimin dhe formimin profesional, si një mundësi për rimëkëmbjen dhe kalimet në ekonomitë digjitale dhe të gjelbra. Deklarata e Osnabrück, nxit bashkëpunimin midis të gjitha vendeve partnere në Procesin trepalësh të Kopenhagenit, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë kësaj ceremonie, Denaj u shpreh se, ministria që ajo drejton mbetet e angazhuar për të siguruar arsimin profesional për të gjithë.
“Arsimi dhe Formimi Profesional është thelbësor, jo vetëm në modelin tonë ekonomik, por edhe për të mbështetur qytetarët tanë që të qëndrojnë në tregun e punës. Ne mbetemi të angazhuar për të siguruar arsim profesional të suksesshëm për të gjithë dhe për të dhënë kualifikime me kosto të përballueshme nga çdo familje apo klasë shoqërore”, theksoi ministrja. Denaj shtoi më tej se, tre sfidat kryesore të MFE-së, janë ruajtja e stabilitetit makro-fiskal, mbështetja e sektorit privat dhe aftësitë e nevojshme për tregun e punës. Sipas saj, qeveria shqiptare është zotuar të transformojë ekonominë shqiptare nga një ekonomi e varur nga importi, në një ekonomi që bazohet në krijimin të vendeve të punës dhe rritjen e produktivitetit.
“Si i tillë, ne kemi njohur gjerësisht nevojën për të adresuar në mënyrë sistematike punësimin duke ri-orientuar sistemin e arsimit dhe trajnimit drejt nevojave të tregut të punës. Arsimi dhe Formimi Profesional cilësor ku ndërthuret trajnimin teorik me praktikën në punë është një nga mjetet më të rëndësishme që do të përdorim për të rimëkëmbur ekonominë tonë pas pandemisë dhe për të siguruar kalimin në një ekonomi digjitale dhe të gjelbër”, tha Denaj. Ministrja e mbylli fjalën e saj duke falënderuar Presidencën Gjermane të BE-së për këtë Ceremoni Virtuale, si dhe për përpjekjet për të siguruar hapa konkretë për një rimëkëmbje përmes Arsimit dhe Formimit Profesional.