Skemat e reja të ujësjellësit po vijojnë të ndërtohen në të gjithë vendin. Në Njësinë Administrative Katund i Ri, Bashkia Durrës, janë drejt përfundimit punimet për rrjetin e ujësjellësit, i cili vjen në shërbim të banorëve në fshatrat Jubë, Erzen, Qerret, Katund i Ri, Fllakë, Mamëz, Sektori Rinia dhe Lagjia Mirditë.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi bëri të ditur se aktualisht janë duke u realizuar testet e linjave familjare në të gjitha fshatrat që mbulon ujësjellësi në bashkëpunim me Ujësjellës Kanalizime Durrës.

“Me financim të Qeverisë Shqiptare, Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Bashkimit Evropian, zbatimi i këtij projekti synon të sigurojë një furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm 24 orë, duke përmirësuar kushtet bazë të jetesës”, tha ajo. Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit ka qenë një kërkesë e vazhdueshme prej më se 30 vitesh e banorëve të zonës.