Eshtë një rreze e rrallë shprese në një vit pandemik brutal: në nëntor, Moderna dhe Pfizer/BioNTech bënë të ditur se vaksinat e tyre të shumëpritura ndaj COVID-19 janë afro 95% efektive në mbrojtjen e njerëzve kundër sëmundjes. Të dy kompanitë kanë kërkuar autorizim nga FDA-ja amerikane, për të filluar shpërndarjen e vaksinave, dhe agjencia pritet që të shqyrtojë këto kërkesa në mes të dhjetorit.

Shkencëtarët janë të inkurajuar dhe madje të befasuar nga përmasa e mbrojtjes që ofron; zyrtarët e shëndetit publik shohin atë që mund të jetë fillimi i fundit të pandemisë, dhe familjet kudo janë duke ëndërruar për një rikthim në normalitet, ku takimet për të festuar festa nuk janë më shqetësim për shëndetin publik. Por po këta ekspertë të shëndetit publik, paralajmërojnë gjithashtu se vaksinat nuk janë shkopi magjik që shumëkush shpreson. Kjo sepse për momentin, studimet tregojnë se në vend të parandalojnë që një person të infektohet, ato duket se parandalojnë që njerëzit të sëmuren rëndë.

Eshtë një dallim që humbet kollaj në diskutimin e “efikasitetit”. Po, Moderna dhe Pfizer/BioNTech raportuan se vaksinat e tyre janë 91.4% dhe 95% efektive. Por në këtë moment, efikasiteti nuk i referohet aftësisë së vaksinës për të parandaluar infeksionin nga virusi, por aftësisë së saj për të mbrojtur ndaj sëmundjes që shkakton virusi: COVID-19.

Në të dy testet, vullnetarëve iu dhanë në mënyrë rastësore, ose vaksina, ose placebo dhe më pas iu kërkua të raportojnë simptoma të COVID-19, si temperaturë, kollë, marrje fryme apo dhimbje muskujsh. Vetëm pas kësaj ata u testuan për praninë e virusit. Nëse njerëzit dilnin pozitivë pas testit, ata regjistroheshin si raste të konfirmuara me COVID-19. Më pas, studiuesit krahasuan se sa shumë prej atyre në grupin e të testuarve si pozitivë ishin vaksinuar, përkundrejt atyre që kishin marrë placebo, dhe zbuluan se ata që ishin vaksinuar ishin më të prirur të përjetonin më pak simptoma dhe të mos sëmureshin aq rëndë se sa ata të grupit tjetër.

Për shkak se studimi regjistronte vetëm ata vullnetarë që kishin rezultuar pozitivë, nuk ka se si të dihet nëse vaksinat sjellin imunitet total për të tjerët. E qartë është se vaksina duket se të mbron nga rëndimi i sëmundjes një herë që je infektuar – dhe ky është gjithësesi një avantazh i madh përballë virusit, pasi rëndimi i COVID-19 mund të shpjerë njerëzit në reanimacion. Sa më shumë njerëz të infektuar e kalojnë me simptoma të buta në shtëpi, aq më pak barrë do të ketë mbi sistemin shëndetësor, dhe aq më pak të ekspozuar do të jenë punonjësit e shëndetit përballë virusit. Të gjitha këto kontribuojnë për një kontroll më të mirë të pandemisë.

Megjithatë, për shkak se vaksinat nuk mbrojnë domosdoshmërisht përballë infeksionit, ne nuk do të braktisim masat e shëndetit publik – si mbajtja e maskave, distancimi social dhe shmangia e grumbullimeve në ambiente të mbyllura. Studiuesit po vazhdojnë të bëjnë kërkime, nëse njerëzit që vaksinohen dhe nuk përjetojnë asnjëherë simptoma, mund ta përhapin gjithësesi sëmundjen. Në ndërkohë, ekspertët thonë që është mirë të ruhen sjelljet që duket se e kanë zbutur përhapjen e COVID-19.

Edhe nëse vaksinat autorizohen, furnizimi fillestar do të jetë i limituar deri kur prodhimi të plotësojë kërkesën. Një komitet i pavarur këshilltarësh në CDC Amerikane rekomanduan në 1 dhjetor, që punonjësit në sistemin shëndetësor dhe qytetarët e moshuar të vaksinohen fillimisht. CDC ka kërkuar gjithashtu që departamentet e shëndetësisë të dorëzojnë propozime se si do të shpërndajnë dozat në faza. Jo të gjithë këto plane janë konsoliduar, por shumica fillojnë me grupet e riskut, dhe më tej vijojnë me popullsitë më vulnerabël, duke përfshirë njerëzit me sëmundje kronike, dhe më tej gjithë të tjerat teksa gjithnjë e më shumë doza bëhen të disponueshme.

Ndërsa të dy kompanitë kanë nisur prodhimin e dozave, gjasat janë që shumica e amerikanëve nuk do të vaksinohen deri në pranverën e vitit të ardhshëm, kështu që objektivi final në kontrollin e pandemisë – imuniteti i tufës – ndoshta nuk do të ndodhë deri në fund të vitit tjetër. “Deri kur shumica e popullsisë të jetë vaksinuar, dhe numri i rasteve të ketë rënë në nivele shumë të ulëta, ne nuk do të jemi në gjendje të marrim frymë lirisht dhe pa maskë”, thotë Emanuel Goldman, profesor i mikrobiologjisë në Universitetin Rutgers. Edhe atëherë, thekson ai, studiuesit do të duhet të ruajnë vigjilencën për të gjurmuar mutacione të mundshme të virusit. “Ai mund të ketë ide të tjera dhe mund të ndryshojë në një mënyrë që i bën vaksinat më pak efektive”.

Vetëm duke vaksinuar miliona njerëz, dhe duke monitoruar se si reagon sistemi i tyre imunitar, do të munden ekspertët që të kenë një ide më të mirë se si të zhduket COVID-19, ose ta bëjnë shumë më të vështirë përhapjen e tij. “Mesazhi i madh është se kemi një mjet shtesë në formën e vaksinave, për të luftuar COVID-19, por ne nuk kemi një mjet për të zëvendësuar ato gjëra që bëjmë sot”, thotë Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive. “Shpresojmë që, teksa vendi dhe bota vaksinohen masivisht, virusi do të sprapset, dhe nuk do të ketë ku të përhapet sepse të gjithë do të jenë të mbrojtur”. / TIME Magazine – Bota.al