Industritë tradicionale të detit si turizmi, peshkimi, transporti detar, por edhe aktivitete të reja në zhvillim, si akuakultura, turizmi nënujor, etj, janë asete të pasurisë ujore, që mund të zhvillohen të integruara në një strategji kombëtare të quajtur “Ekonomia Blu”. Banka Botërore në bashkëpunim me qeverinë dhe aktorët e linjës, përgjatë një viti, (shtatori 2019 – shtator 2020) punuan për identifikimin e mundësive dhe potencialeve që ofron ekonomia blu dhe alternativat e zhvillimit.
“Prioritetet në turizmin bregdetar dhe detar si dhe peshkimi e akuakultura mund të projektohen në mënyrë të tillë që të përmbushin objektivat ekologjike dhe objektiva domethënës të operimit duke adresuar edhe nevojat sociale pa rrezikuar mundësitë për brezat e ardhshëm që të përfitojnë nga shërbimet dhe të mirat e detit dhe bregut” citon raporti i BB.
Ekonomia Blu luan një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe krijimin e vendeve të punës, por duke ruajtur njëkohësisht natyrën dhe manaxhuar ndotjen detare dhe tregtinë mes sektorëve të ndryshëm si peshkimi, akuakultura, transporti, turizmi.
Ekonomia Blu është një koncept që i referohet zhvillimit të veprimtarive ekonomike detare në një mënyrë të integruar dhe të qëndrueshme dhe që mban detin të shëndetshëm. Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore. Ajo laget nga dy dete dhe vitet e fundit përveç turizmit po merr zhvillim të madh edhe peshikimi që konsiderohet si Ekonomia Blu më fitimprurëse.