Festat e fundvitit do të jenë si asnjëherë më parë për shkak të pandemisë. Europa vijon të qëndrojë e mbyllur ndërsa OBSH bën apel për kujdes të shtuar në mënyrë që kjo periudhë të mos kthehet në një moment zie më vonë Për festat e fundvitit shumë bare në Berlin kanë vendosur stendat jashtë dhe ofrojnë pije për t’u marrë me vete. Është një nga pak sistemet për të fituar sadopak në një sektor që është goditur rëndë nga pandemia. Për banorët është një mundësi për të pirë diçka pavarësisht mbylljes së pjesës më të madhe të tregjeve të krishtlindjeve. Gjithsesi aktualisht dhe këto stenda janë në vëmendjen e autoriteteve të cilat mendojnë se inkurajojnë grumbullimet në rrugë.

Në Gjermani aktualisht masat kufizuese janë më të ashpra meqenëse qendra e kontrollit të sëmundjeve në vend regjistron shifra në rritje si në rastet e reja ditore me Covid ashtu dhe për viktimat. Në të gjithë vendin janë mbyllur restorantet, baret, strukturat e argëtimit dhe ato sportive, hotelet nuk pranojnë turistë por qëndrojnë hapur shkolla dhe dyqane. Ministri gjerman i shëndetësisë u shpreh se virusi nuk llogarit nëse kemi bërë apo jo blerje për festa, dhe për këtë arsye janë të domosdoshme masat e njëjta për të gjithë vendin.

Përgjegjësi i organizatës botërore të shëndetësisë foli për sezonin e festave si për një moment pushimi por që gjithsesi duhet shoqëruar me kujdes. Festimet shtoi ai, mund të keq menaxhohen dhe të shkaktojnë një moment trishtimi

Pavarësisht shpresës për një Krishtlindje dhe një fundvit të gëzuar, francezët në Paris duket se janë dorëzuar dhe po përgatiten për festime të zbehta. Kryeministri francez Jean Castex deklaroi se ora policore do të qëndrojë ende në fuqi pasi numri i infektimeve të reja është sërish në rritje. Ai tha se do të lejohen udhëtimet për të festuar Krishtlindjet në familje por muze, teatro dhe kinema do të qëndrojnë mbyllur dhe për tre javë të tjera, njësoj si stadiumet.

Qipro deklaroi se do të mbyllë qendrat tregtare, dhe do të ndalojë meshat fetare për të shmangur përhapjen e koronavirus. Testet e shpejta në të gjithë ishullin tregojnë se virusi është kudo. Restorante bare, kafene dhe hotele do të qëndrojnë mbyllur njësoj si palestrat