Evropa pritet ta kalojë në heshtje këtë Vit të Ri. Festat janë të ndaluara në pjesën më të madhe të vendeve, madje në Francës janë angazhuar 100 mijë policë dhe pjesëtarë të xhandarmërisë për të ndaluar çdo organizim dhe garantuar zbatimin e shtetrrethimit.

Ndërsa forcat shtesë të sigurisë do të parandalojnë akte të tilla si dejgia e makinave. Franca është një nga vendet më të prekur në botë nga pandemia e Covid-19, ndaj janë vendosur masa të rrepta me rastin e festave të fundvitit. Bilanci në Francë është vërtetë shumë i rëndë, me 2.6 milionë raste në total dhe mbi 64 mijë vi kti ma nga koronavirusi. Forcat e sigurisë në Francë do të pozicionohen në qendrat e qyteteve dhe në periferitë kryesore nga ora 20:00 e mbrëmjes, kur fillon edhe shtetrrethimi.

Ndërkaq, në Britaninë e Madhe kryeministri Boris Johnson njoftoi se 20 milionë njerëz të tjerë do të përfshihen në kategorinë e kufizimeve nga e enjtja, për shkak të përhapjes së pakontrollueshme të variantit të ri të koronavirusit.

Në Gjermani, ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn tha se kjo pritet të jetë nata më e heshtur e ndërrimit të viteve, ndërsa autoritetet kanë ndaluar fishekzjarrët dhe kanë kufizuar numrin e personave që mund të grumbullohen në publik.

Holanda, e cila do të jetë në izolim deri në 19 janar, do të presë 2021-shin me ceremoni me dyer të mbyllura në stadiumin e futbollit në Amsterdam. Ndërsa Turqia nis sot izolimin 4 ditor.