Lidhur me organizatorët e kësaj proteste, ministrja Gjonaj deklaroi për Report TV se nuk ka mundësi që fëmijët e mitur të mblidhen me vendimin e tyre për të protestuar. Duke hedhur dhe njëherë akuza ndaj PD e LSI si orkestrues të këtyre akteve të dhunës, Gjonaj u shpreh se shumë aktorë të këtyre partive janë regjistruar me zë e figurë në krye të protestave.

“Absolutisht. Si ministri i drejtësisë, si kryeministri e çdo qytetar duhet tja lëj në dorë organeve të drejtësisë. Jam prekur nga letra e shkruar nga babai i Klodjan Rashës. Protestat e dhunshme nuk do të japin drejtësi për 25-vjeçarin. Deklaratat e faktorit ndërkombëtar, ambasadorëve i kanë dhënë qartësisht se protestat janë mekanizëm i rëndësishëm për demokracinë por kur kthehen të dhunshme janë të paligjshme. Ato i janë drejtuar partive politike të distancohen nga dhuna në protesta. Policia do të kryejë punën e tyre. Do të duhet të menaxhojnë situatën që këto protesta të zbehen. Kemi rolin si shoqëri tu bëjmë thirrje prindërve të të miturve që të kontrollojnë fëmijët e tyre që po përdoren politikisht.

Të gjithë duhet të kemi mundësinë tu bëjmë thirrje organizatorëve që të shmangin aktet e dhunës. Ne kemi parë eksponentë të partive politike që kanë qenë pjesë e këtyre protestave. Prokuroria duhet të hetojë se kush qëndron pas protestave të të miturve. Ata nuk e kanë idenë as se çfarë po kryejnë. Pamjet me figurë e zë dëshmojnë se kanë qenë aktorë politikë të PD-së dhe LSI-së. Nuk besoj që dikush mendon se Voltana Ademi nuk ishte në protestë kur e kemi me zë e figurë. Nuk pres që kryebashkiakja të marrë gurë të godasë në protestë” – tha Gjonaj.