Investimi për modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës dalëngadalë po merr formë. Agjencia e NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimet (NATO Support and Procurement Agency, NSPA) zbriti në terren bashkë me kontraktorët potencialë për t’i informuar mbi projektin. Përfaqësuesit e Agjencisë së NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimet prezantuan procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm që duhet të përmbushin firmat kontraktore, përpara se të aplikojnë për kryerjen e punimeve për modernizimin e Bazës së Kuçovës dhe kthimin e saj në Bazë Ajrore Taktike të NATO-s. Në këtë Konferencë morën pjesë përfaqësues të kontraktorëve potencialë nga disa vende të botës dhe grupi i punës i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, përfaqësuesit e Agjencisë së Prokurimeve dhe Mbështetjes së NATO-s i njohën përfaqësuesit e kontraktorëve potencialë me afatet si dhe inspektuan në terren sheshet e ndërtimit ku do të zbatohen projektet e modernizimit të Bazës Ajrore të Kuçovës. Për shkak të pjesëmarrjes së madhe dhe masave kundër përhapjes së pandemisë, takimi u zhvillua në dy sesione. Në takim morën pjesë 60 përfaqësues të kontraktorëve potencialë 36 kompani të ndryshme, nga të cilat 22 të huaja dhe 14 shqiptare.

Deri në fund të muajit janar 2021, NSPA do të jetë e gatshme t’i përgjigjet çdo pyetjeje nga kompanitë e interesuara. Pas kësaj, deri në fund të muajit mars, kompanitë do të paraqesin ofertat, do të vlerësohen ato dhe do të shpallet fituesi.
Pas firmosjes së kontratës, parashikohet që punimet në terren të nisin në muajin tetor 2021.