Në një rrëfim të veçantë emocional, drejtori i Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapisyzi ka kujtuar kohën kur është emëruar për herë të parë si mjek në Mirditë, në vitin 1979. Teksa rendit në rreshta përshkrimin e momentit të emërimit të tij si pjesë e ekipit mjekësor, profesor doktor Kapisyzi tregon se këto momente unikale i konsideronte të papërsëritshme për nga pikëpamja e peshës profesionale dhe shpirtërore ndërsa sot thekson se në këtë pandemi kuptoi ringjalljen brenda vuajtjes së shpirtit. Kapisyzi tregon luf tën e përditshme me armikun e padukshëm COVID-19, si një betejë e ashpër që ngrihet në përpjekje për të mundur vdekjen.

“Me disa fletë gazete të bëra shuk, ku gjuhëzat e flakës luftonin me lagështirën e letrës, arrita të lexoj emrin tim në kolonën e mjekëve të emëruar në Mirditë, në vitin e largët 1979. Ndonëse me mesatare 9.73, nuk m’u duk se u përmbys bota, as ëndrat e mjekut të sapodalë. Ngushëllova veten me faktin që Mirëdita është emër i bukur. Gjashtë vjet mjek në Malësinë e Oroshit, me pelerinën dhe çantën e ish-oficerit madhor ku brenda saj ishte gjithçka që kërkohej për raste urgjente, natën, ditën, në vapë me opinga, me çizme në dimrin e acartë, ku dëbora zhdukte çdo gjurmë tënden për t’u kthyer, më ngushëllonte fakti se si unë ishin dhe 100 mjekë, që ashtu të heshtur, pa fjalë dhe pa inventar mizantropie u ndodheshin në çdo moment komunitetit ku shërbenin. M’u shfaqën kalimthi këto copëza jete nga fillimi i profesionit, sepse deri më sot i konsideroja momente unikale për nga pesha profesionale dhe shpirtërore, të papërsëritshëm. Por kisha gabuar. Kjo pandemi bëri të kuptoj se ato momente ishin bërë pjesë e qenësishme, “vuajtje” e shpirtit, trupit dhe, që sa herë i kujton, duket sikur diçka ringjallet brenda teje…’’, shprehet Kapisyzi. Ai tregon momentet e para të nisjes së pandemisë. “Mars 2020… Në mbarë botën koronavirusi po fitonte terren… “këmbësorët e vdekur”, ecnin dhe shembeshin përballë shërbimeve shëndetësore më të fuqishme të BE, USA. Po ndodhte, e pabesueshme! Me mijëra të vdekur, numri i të cilëve po rritej në mënyrë eksponenciale edhe në sistemet e shërbimeve më të fuqishme shëndetësore. Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, me një eksperiencë prej 50 vjetësh në trajtimin e infeksioneve dhe komplikacioneve respiratore, me mjekë, specialistë të përkushtuar, plot pasion, u caktua nga Ministria e Shëndetësisë si COVID 2. Ishte një lajm që për herë të parë e morëm nga media… Dhe lufta filloi”, tregon ai.

“I dashur vëzhgues mizantrop… U përllogaritën, u rivlerësuan forcat… Tashmë për një betejë të vërtetë në mbrojtje të jetës, ku vdekja, si kurrë ndonjëherë bariste e shpenguar jo vetëm tek ne, por edhe në sistemet shëndetësore nga më të fuqishmet, duke i sfiduar ato. I dashur vëzhgues mizantrop! Mundohu të heqësh nga lista jote e mizantropisë ndryshimet e shpejta në kohë reale në infrastrukturë, aparatura, medikamente dhe burime njerëzore. Falë këtyre ndryshimeve pacientët vizitoheshin dy herë në ditë me staf të dedikuar, përveç ndjekjes që bënte çdo mjek. Dështimet e sistemeve më solide shëndetësore botërore na mprehën vëmendjen dhe shkathtësinë, duke paraprirë, shtrirë linjat e reja të oksigjenit, ajrit të komprimuar dhe shtuar kapacitete të terapisë semiintensive…’’.

Më tej, profesori vazhdon. “I dashur vëzhgues mizantrop! Në këtë vorbull pandemie gjithë personeli shëndetësor i SUSN as nuk u tremb, as nuk e uli ritmin, as nuk bëri lista mizantropie. Sanitarë, infermierë, mjekë gjithmonë në lëvizje pranë të sëmurëve, duke marrë pjesë nga vuajtja e tyre. Kush kujdeset dhe shërben, vuan bashkë me të sëmurin. Të vetmit që lumturohen nga vuajtjet, janë sehirxhinjtë e vuajtjeve. Korbat fluturojnë me shpresën që të ndodhë gjëma, që mizantropit t’i kthehet buzëqeshja nga vuajtja e tjetrit dhe të thotë “E thashë që do ndodhte….””. Ai shton se, “ndërsa personeli mjekësor SUSN lufton për jetën nëpër ekrane TV shohim “ekspertë”, të cilët kanë marrë përsipër t’u tregojnë sistemeve më solide shëndetësore se si duhet të kishin vepruar, se sa lehtësisht mund ta kishin përballuar nëse do kishin dëgjuar këta këshilltarë të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm, të cilët të kujtojnë ekspertët që thonë se rakia bëhet edhe nga rrushi!?!?”.

“I dëgjoj i përhumbur në përgjigjet e analizave të pacientëve dhe më duket sikur thonë: ”Pse transheja ka zënë ujë, ç’është ajo barrelë që i është këputur doreza, ku janë barelambajtësit për të transportuar të plagosurin, përse qëllohet me breshëri…?!?!” Dhe pulsimet e sinjaleve të aparaturave bashkëkohore më rikthejnë në realitet. Shqipëria gjatë këtyre 50 viteve nuk ka patur kaq shumë pajisje jetëmbështetëse. Ndryshimi është i pakonceptueshëm, i dashur vëzhgues mizantrop! Ti rri i kollarisur që, jo rrallë xhaketa të rri shtrembër sikur do t’i përshtatet mendimeve të mbrapshta aspak optimiste”, shprehet mjeku Kapisyzi.

“Sa nevojë kemi për optimizëm, për sy, zemra, shpirtra që shohin përpjekjet tona si pjesë e gotës gjysmë plot… Kjo do t’na jepte forcë, shpresë, kurajo, duke flakur tej panikun vrastar, që mizantropia ia shton pandemisë. Çfarë duhej bërë më mirë?’’, vijon rrëfimin e tij mjeku. Më tej, vijon ai, “shumë duheshin bërë, por ja që dhe sistemet shëndetësore të BE nuk kanë mundur të bëjnë më të mirën, por janë përpirë nga menaxhimi global i gabuar i pandemisë, pjesë e së cilës jemi edhe ne”. “Me duar e këmbë dhe kamera mizantropi numëron i ekzaltuar ambulancat në pritje për të shtruar pacientët. E tregon si antivlerë e sistemit shëndetësor, ndërkohë që bota me dekada të tëra dhe sistemi ynë shëndetësor, ka futur sistemin e triazhimit, pikërisht sistemin e përzgjedhjes së pacientëve në vartësi të gravitetit të sëmundjes. Autoambulancat aty tregojnë se sistemi po funksionon, ndonëse detyruar të përballet me “ngarkesa të tonazheve të larta” të cilat as vetë sistemet shëndetësore solide nuk i përballuan. Automjetet private autokolonë në Itali, ku sondat e oksigjenit futeshin nga dritaret e makinave private, ishin dëshmia e fundit, ndërkohë që ti i dashur vëzhgues mizantrop, tregoje i shpenguar autoambulancat si dështim të sistemit. Jo, ato janë pjesë dëshmi, se sistemi po funksionon nën peshën tejet të rëndë të pandemisë, se sistemi nuk dorëzohet”, tha Kapisyzi.

“Në një nga ditët e rëndësishme të aktivitetit tim si teknicien 20 vite më parë pata fatin të isha i dobishëm për të madhin Dritëro Agolli, i shtruar me insuficiencë respiratore në SUSN. Mbasi e mori veten, me atë zërin e tij të ëmbël që dilte nga shpirti i butë u mundua të më sqarojë për një artikull që kishte dalë ato ditë. “Doktor, – më tha, – ne, gazetarët profesionistë, duhet t’i themi të vërtetat. Por e rëndësishme është të zgjedhim kush është më e dobishmja. Një gazetar thotë një të vërtetë kur përshkruan një shtëpi me disa tulla të thyera, ku në një cep trëndafilat janë fishkur…. dhe dera e oborrit është varur nga pesha e viteve’’, vijon ai. “Ky gazetar, doktor, ka thënë të vërtetën, por që ky përshkrim kurrsesi nuk do kishte efektin e përshkrimit të së vërtetës tjetër. Ndonëse dera ishte varur, duket sikur donte të tërhiqte nga mënga për të hyrë dhe befas përballesh me një kopsht plot lule, ku larmisë së tyre i shtoheshin zërat plot gëzim të vocërrakëve të vegjël… dhe flladi përkëdhelte bimësinë mahnitëse dhe shpirtrat e dëlirë të vocërrakëve”, tregon ai.

“Edhe ti, i dashur vëzhgues mizantrop… po përpiqesh të tregosh tjegullat e thyera, bimësinë e tharë… Përpiqu një herë të vetme të paktën të përshkruash shpirtin, përpjekjet, sakrificat për të pakësuar ankthin, vuajtjen, për t’i thënë stop panikut, për të sjellë gëzimin e jetës në sytë që shohin me shpresë…, për të shtuar dritën në fundin e tunelit të pandemisë”, shprehet mjeku. “Unë përsëri do të ndjej ato “vuajtjet”, momentet, përjetimet e viteve të para, dashurinë e atyre njerëzve në malësitë e thella të Oroshit, të cilët më mësuan të përballoj vështirësitë dhe akoma më fort pandeminë e, bashkë me të dhe mizantropinë ndjellakeqe’’, përfundon drejtori i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi’’.