“Special Edition By Arjola” është një ndër rubrikat më të reja të emisionit “Ditë e Re” në RTV Ora. Moderatorja Arjola Shehu ka vendosur që të mbledhë të gjithë artistët shqiptarë të cilët po korrin sukses në të gjithë botën.
Kësaj here i ftuar ishte balerini, Kledi Kadiu ai i cili prej vitesh po pushton skenat italiane. Ai ka ndarë dhe njëherë tjetër historinë e mbërritjes së tij në Itali gjatë viteve 90 , vështirësitë që ka hasur në fillim, nga malli për familjen dhe deri te punët që ka bërë. Arjola i ka kërkuar Kledit që të rikthehet dhe një herë pas në kohë e të kujtojë mbërritjen e tij në Itali, ku ai ka treguar se për ti bërë ballë jetës është detyruar që të punojë edhe murator.
“Në Itali ishin sakrifica të tjera, sakrifica larg prindërve në moshë shumë të re, eksperienca e parë që nuk dije si ta përballoje jetën e një emigranti në fillimet e saja. Punimet e ndryshme jo vetëm në zanat por dhe në punë të tjera për ti bërë ballë jetës . Kam punuar si murator, ndihmonim personat që kishin nevojë për të ndërtuar. Ja gjithë këto janë sakrifica, por këmbngulja dhe pasioni kur ke për zanatin kalon çdo gjë dhe sot të duken sikur ke kaluar një urë me shumë pengesa të vogla”. Për Kledin sakrificat dhe vështirësitë që kalon njeriu në jetë e bëjnë atë të dijë vlerën e suksesit dhe të ketë një mendim krejt tjetër për të ardhmen. “Besoj se kjo është një nga mënyrat si e koncepton dhe jetën e ardhshme. Sepse një person që ka kaluar një urë me mundime të mëdha nga të gjitha aspektet ka një mendim të ndryshëm sa i përket suksesit dhe jetës aktuale” – shton ai.