Nga ARTUR AJAZI/

Më e pakta që organet e drejtësisë së pavarur mund të bënin sot, nesër apo dhe në ditët në vijim, do të ishte marrja në ndjejke penale (apo dhe arrestimi) i ish-kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe e kreut të godinës së Presidencës Ilir Meta. Do të ishte gjëja më e duhur sikur organet e drejtësisë së pavarur, të merreshin intensivisht me këta dy emra, që së fundi pushteti u ka errur sytë, mëndjen, dhe gjithçka njerësore, duke provokuar dhe nxitur hapur dhunën në protestat e minorenëve të paguar. Këto veprime luftënxitëse i bëjnë vetëm të shiturit ose të çmendurit. Protestat e nxitura dhe kontrolluara nga dyshja më famëkeqe e politikës shqiptare, nga ata që kanë mbi shpinë dhe mbi shpirtin e tyre mëkate dhe krime të pafundme, prej 3-4 ditësh po djegin Tiranën, Shkodrën, Vlorën, po djegin institucionet ligjzbatuese, ministritë, bashkitë, bizneset, selitë e partive, duke synuar të rikthejnë vitin e zi të 1997. Sali Berisha dhe Ilir Meta bashkë me ogiçët e tyre Monika dhe Lulzim Basha, po luajnë me ligjin, po luajnë me ndjenjat e shumicës së shqiptarëve, të cilët nuk kanë harruar makabritetet e 30 viteve, vjedhjet e 30 viteve, pasurimin e një grushti njerësish që u bënë miliarderë me paratë dhe pronat e zhvatura. Protestat e ditëve të fundit, djegia e institucioneve dhe plagosjet e policëve, janë akuzë direkte për Sali Berishën, Ilir Metën, dhe dyshen Kryemadhi-Basha që presin të marrin “pushtet me revolucion”.

Saliu dhe Iliri, janë kthyer në komandantë të njësiteve guerrile, janë kthyer në nxitësit kryesorë të turmave me minorenë të paguar, me fëmijë të paditur dhe të pafajshëm që nuk e dinë se po ikin në veprime të çmendura, për interesat e dy dinosaurëve të pushtetit dhe të parasë së vjedhur. Një ish-president, një ish-kryeministër, një ish-kryetar partie, dhe një kryetar shteti i akuzuar nga Edi Rama për vepra të rënda penale, kanë marrë rolin e drejtuesve të njësiteve guerrile, kanë marrë rolin e sulmuesit ndaj Policisë Shtetit dhe drejtuesve të institucioneve qeveritare, duke përkrahur çdo akt dhune dhe çdo barbari ndaj uniformave të shtetit, që përballen me minorenët e dalldisur.

Policia e Shtetit, Prokuroria dhe SPAK, duhet të ndalen seriozisht në aktet vandale të ditëve të fundit, duhet të merren urgjentisht me hetimin dhe nxjerrjen para organeve gjyqsore, të nxitësve kryesorë të protestave të dhunshme. Shqiptarët nuk u kanë asnjë borxh Berishës dhe Metës, të nxisin dhe dirigjojnë turmat e dalldisura për të shkatërruan dhe djegur pasuritë e përbashkëta, për të tmerruar fëmijët dhe qytetarët që presin me ankth çdo pasdite çfarë do të ndodhë, tek shohin makabritete në ekrane. Zoti Rama, ka ardhur koha që shteti të tregojë fuqinë e tij duka zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, dhe duke mos ndarë nga hetimi i çdo protestuesi vandalist, edhe katërshen famëkeqe Berisha-Meta-Kryemadhi-Basha. Nuk mund të trembë një grusht njerësish shtetin, ligjin, institucionet e pavarura, nuk mund të mbajë nën terror shumicën e shqiptarëve, një grusht minorenësh, nuk mund të marrë peng të ardhmen e vendit, një kastë politikanësh të degraduar dhe të akuzuar me të cilët nga sot, duhet të jenë objekt hetimi i organeve të drejtësisë.