Nga Lorenc Vangjeli/
Shpesh duket sikur Lulzim Bashës i bien të gjithë në qafë. Kur sillet qetë, thonë se fle gjumë. Kur është i dhunshëm në rrugë, e quajnë kopje të keqe të një origjinali të lig si Berisha. Kur bën politikë në institucione, e nxisin të dalë jashtë, kur del jashtë, ja numërojnë si gafë.
Kur vijnë zgjedhjet, i thonë bojkotoji, kur i bojkoton e kryqëzojnë se e la opozitën pa asnjë përfaqësim në pushtet dhe individët pa punë.
Kur bën marrëveshje me Ramën, i thonë se kryeministri ja hedh, kur refuzon cdo kompromis, e quajnë kokëfortë. Kur e bën vetë listën listën e deputetëve, i numërojnë alienët që i bën deputetë, kur jua jep alienëve “zahmetin” e listës, e quajnë të pazotin të marrë përgjegjësi.
Kur përze gjithë njerëzit që dështuan bashkë me Berishën në tetë vjet qeverisje, ja krahasojnë me ata që solli me vete në qeverisjen tetë vjecare të opozitës së tij. Kur fotokopjon Berishën, nuk i njohin lidership, kur tenton të dalë nga hija e tij, e konsiderojnë mosmirënjohës.
Kur tenton degën e ullirit, i përmendin kallashnikovët dhe kur flet si kallashnikov, qeshin me breshëritë kuturu që lëshon si lopa nevojat personale. Njëherë ja quajnë cadrën bunker rezistence dhe kur del prej saj, ja emërtojnë prezervativ frike. Nuk besojnë se e ka seriozisht kur mallkon oligarkët dhe e marrin seriozisht stilin e tij të shkeljes së syrit me të njëjtit oligarkë.
Nuk e besojnë kur kërkon transparencë për kufirin detar me Greqinë dhe i kujtojnë firmën në marrëveshjen e grisur nga gjykata. Qeshin kur flet për sarajet e Surrelit dhe i masin metrat katror të vilave në Long Hill e gjetkë.
Ka shumë të shkuar tek Basha për ta besuar atë në të ardhmen. Kjo është arsyeja kryesore se pse opozita nuk bind. Jo sepse të gjithë e pyesin Bashën është ora, por sepse ora për të bërë politikë nuk kurdiset me stinë. Eshtë stil e stimë dhe jo sallatë qëndrimesh që përjashtojnë njëra-tjetrën. Më mirë një gabim i qëndrueshëm sesa paqëndrueshmëri ekstreme.
Më mirë një opozitë e dobët në institucione sesa një OFJ jashtë sistemit. Taktika e djalit të mirë që as të shtrëngon dhe as të lëshon, mërzit edhe gurin në Sazan dhe jo grupin e uritur politik që ai ka lënë në rrugë prej gati dy vjetësh.
Dhe vazhdon ta mbajë me premtime kur qoftë dhe për shkak të rrethanave të vecanta të këtij mandati me tërmet e pandemi, ndryshimi në qeverisje do të duhej të ishte një akt formal. Në fakt duket se po ndodh ndryshe dhe premtimi i Ramës për një “tris” mandati ngjan si akt real.
Ka ende shumë ujë për të rrjedhur nën Lanë deri në prillin e zgjedhjeve. Basha duhet të bëjë bashkë gjithë vullnetet kundër Ramës, kurse Rama duhet të udhëheqë një grup gjithmonë e më të rënduar nga arroganca e qeverisjes dhe skeletet e firmave në dollape.
Njëri, Basha, gjithmonë e më i vetëm përballë një grupi gjithmonë e më të paduruar e të uritur që kërkon në tavolinë ndarjen e pushtetit të nesërm, kurse tjetri, Rama, gjithmonë e më i vetëm sheh pas shpine një grup gjithmonë e më të madh anonimësh që ja kanë parë hajrin pushtetit të tij, por të gatshëm t’ja faturojnë atij gjithë qederin e mundshëm nëse bie nga pushteti.
Deri në prill, cfarëdo që të bëjë Basha, ai do të kritikohet nga skeptikët dhe do të refuzohet nga kundërshtarët. Do ta kryqëzojnë dhe do ta mallkojnë sepse ka mallkimin e të qenurit në opozitë. Nuk ka asnjë ndryshim nga sjellja që kanë provuar të gjithë opozitarët pa ardhur në pushtet.
Basha nuk bën përjashtim nga ky rregull që e ka të gdhendur në ADN shoqëria shqiptare e cila bën të fortin me të dobtin dhe arrogantin me nevojtarin, që bëhet këpucë që shkel e ikën tutje kur i ke nevojën dhe sillet si pluhur nën këpucë kur ja dikton nevoja sjelljen prej pluhuri.
Basha mjafton të fitojë në prill që të shijojë adhurimin e atyre që e përbuzin sot dhe që ta duartrokasin ata që e mohojnë.
Mjafton të fitojë dhe do të shohë në lëkurën e tij dhe gjithë rrethit të tij transformimin magjik që ndodh vetëm në përralla: ai vetë mbret dhe të tjerët rrotull tij princa të dalë nga lëkura bretkocash.
Por vetëm nëse fiton sepse nëse humb, do të duhet të shijojë nga larg, me dhembje dhe pezm oborrin plot shkëlqim të Ramës mbret dhe princave të tij rozë.