Nga Bajram Peçi

Nxitjen për të shkruar mbi leximin dhe letërsinë e mora nga një njoftim i djeshëm i shtypit, ku një varg emrash të shquar në pasuri e biznes, s’qenkan ndodhje të rastit, por qënkan arritje të librit, të leximit. Një artikull i HBR përmend të parin Phil Knight, themeluesin e Nike. Ai na e detyroka çdo person, që shkon në bibliotekën e tij, të heqë këpucët dhe të përulet. Më tej përmend Warren Buffett, që kalon pesë deri në gjashtë orë në ditë, për të lexuar pesë gazeta dhe 500 faqe të raporteve të korporatës; Bill Gates që lexon 50 libra në vit; Mark Zuckerberg, që lexon të paktën një libër të ri çdo dy javë; Oprah Winfrey, që ia kushton suksesit e vet librave.

Duke qenë se panairi i përvitshëm i librit, në kushtet e pandemisë sivjet u zhvillua ndryshe, përmes murit të fejsbukut të të njohurve të mi, që punojnë e drejtojnë shtëpi botuese, mbërritën tituj librash shoqëruar me njoftimin e skontos 20 % dhe mënyrës së transportit. U informova sa munda, por libër nuk bleva dot. Jo se nuk desha, as se nuk u përshtateshin shijeve të mija po se çmimet…o Zot, sa të shtrenjtë!

Koha kur administrova për disa vite Shtëpinë Botuese “Saras”, më mësoi shumë gjëra. Një prej tyre ishte aftësia thithëse e tregut për një titull. Mesatarja rrihte te 300 kopje. Ndonjëherë, deri 500 kopje. E sjellë më kuptueshëm, këto shifra tregojnë se një titull-libër shkon pak më shumë se për 10 mijë veta. Është një tregues i cili e rendit shqiptarin në fund të listës europiane.

A është duke u braktisur libri? Kam frikë se po! Teknollogjitë e reja të komunikimit janë ato që ndikojnë më së shumti si dhe çmimet gjithnjë e më të larta. Të rinjtë humbasin kohë goxha të shumtë me telefonat e tyre, pak informativ, edhe më pak edukues e shtim dijesh. Brezi i dytë, madje dhe i tretë, në kushtet kur shtypi i përditshëm po u largohet kioskave të shitjes, lexojnë vetëm lajmet “Coppy paste” të faqeve inflacioniste, me gjasa, më shumë me qëllime “helmuese”.

Në vitet ’90, përkthyes të talentuar, si Sokrat Gjerasi, Jorgji Dhoksani, etj., sollën nga rusishtja të përkthyer Fjodor Dostojevskin. Ai ishte i vetmi shkrimtar i madh rus që nuk ishte botuar në kohën e komunizmit. Një redaktor punëshumë e fjalëpak, Xhevahir Lleshi, botoi shumicën prej tyre, të cilat sot fatmirësisht më ndodhen në bibliotekën familjare. Shfletoj pasballinën e romanit “Idioti”, botim i vitit 1996 nga “Eugen”, me faqe 556. Çmimi 400 lekë! Me një të tillë vëllim të hedhur në treg, çmimi sot nuk është më pak se 1200 lekë. Siç shihet, brënda 25 vjetësh çmimet e librit janë rritur tre deri katër herë, ndërsa pagat pothuaj nuk kanë lëvizur. Gjatë këtyre viteve teknika e shtypshkronjave është përmirësuar dukshëm, çka duhej të presupozonte një rendiment të lartë të shoqëruar me ulje të kostos prodhimit, gjë që s’ndodhi. Përkundrazi!

Paradoksit të çmimeve tepër të larta i qëndron ballazi koraca e papërshkueshme e mbrojtjes me çmimin e letrës si dhe me taksat e botimit. Një lexuesi me pagë mesatare blerja e një libri i kushton rreth 4-5 % të strukturës së pagës mujore, ndaj librit po i qëndrohet larg. Kështu ndodh, e ska si ndodh ndryshe, nëse ai cënon financat e familjes.

Në këtë rrëfenjën e gjendjes së leximit sot, trysnohen një det prapësish, që po ndryshojnë rrëmbyshëm e rrëmujshëm botën. Brezi i ri, sot nuk po njeh shkrimtarët bashkëkohorë, nuk po njeh as gjenitë botërorë të artit të letërsisë.

Publikimi i disa studimeve nga psikologë, këshillonte: më shumë lexim të letërsisë, si mjeti më i mirë për të rritur aftësinë tonë, për atë që quhet “Teoria e Mendjes”. “Por jo të gjithë librat kanë këtë fuqi”, theksojnë psikologët. “Vetëm romanet”, dhe natyrisht jo të gjithë romanet. Përparësinë këtu e marrin klasikët. Kur lexon këto përfundime që sociologjija arrin t’i përcjellë shoqërisë, me të drejtë shqetësohesh për brezat që vijnë, për raportet që ata kanë me leximin.

Në ç’raport ndodhet sot letërsia me lexuesin? Gjëja që bie në sy është mospërfillja e nevojave që ka shoqëria, për ta patur librin si objekt me ndikim në përgatitjen e brezave për të hedhur hapat e duhur në jetë. Në fund të fundit, ka qenë letërsia ajo që ka formuluar në shekuj kërkesat e ndërgjegjes njerëzore, ka qenë libri që ka rritur njeriun! Dhe këtu vetiu pason pyetja: “Cilat janë politikat e institucioneve tona për plotësimin me këto nevoja të shoqërisë”?!

Vjen nga viti 1935 një intervistë e Ernest Heminguej-it mbi leximin. “Cilat janë librat që një shkrimtar apo lexues duhet t’i ketë shfletuar? -ishte pyetja e gazetarit. Shkrimtari i njohur rradhiti shpejt e shpejt një varg romanesh të Tolstoit, të Floberit, të Tomas Man, të Fildingut, të Stendal, të Dostojevskit, të Mark Tuen, të Stefan Krënit, të Xhorxh Merit, Mopasanit, Turgenievit, Kiplingut. Autorët sa më sipër, të sjella si shembull i pjesëshëm, po vijnë gjithnjë e më shumë, duke mos u njohur, jo se nuk botohen, por se nuk blihen e nuk lexohen.

Kush nuk ka lexuar klasikët, hyn në jetë me boshllëqe dijesh! -thonë psikologët. Është ky një përfundim jo i botës së letrave, por i shkencës së mëndjes. Ata-klasikët-nuk mëshirojnë vetëm ndërgjegjen e kohës së veprimit, por krijimtaria e tyre përbën themelin dhe modelin, shëmbullin, që përmes letërsisë së tyre të shohësh të ardhmen.

Të merresh sot si rishtar me krijimtari letrare, jo vetëm që s’bëhet fjalë se mund të fitosh përmes publikimit, por gjasat janë të zhytesh në borxhe.

Si parashikohet e ardhmja e librit, e kulturës së leximit? Të thuash e zymtë, është pak! Janë kohët e reja që kanë ardhur, me sjellje e ndryshime thelbësore në strukturën e kulturës së lajmit, informimit e mënyrës së dhënjes së dijes. Gjithçka është e strukur thellë në ndërgjegjet tona dhe është e kotë t’i nanurisesh dëshpërimit.