Qeveria miratoi sot Aktin Normativ për Buxhetin e vitit 2020, një dokument i domosdoshëm në kushtet e finalizimit të një viti pas tërmetit dhe pandemisë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në një dalje për mediat prezantoi rishikimet e kryera, bazuar edhe në vlerësimet e situatës makro-financiare. Fjala e plotë e Ministres Denaj: Miratuam sot Aktin Normativ për Buxhetin e vitit 2020, ku përmes së cilit qeveria po alokon 3.4 miliardë lekë për shpërblimin e fundvitit për kategorinë e pensionistëve, përkatësisht në masën 5,000 (pesë mijë) lekë për çdo pensionist .
Nga ky shpërblimi përfitojnë: • 677,906 pensioniste dhe përfitues të tjerë nga të cilët: • mbi 543,250 janë pensionistë në pension pleqërie, • 74,033 persona në pension invaliditeti; • 2,646 me pension social; • 9,932 persona në pension familjar; • mbi 8045 persona te tjerë qe në pension te parakohshëm apo trajtim të veçantë financiar si minatorë të nëntokës, punonjës të ish – ndërmarrjeve ushtarake. Së dyti dhe po aq i rëndësishëm është shëndetësia dhe mbrojtja sociale. Po ashtu, si në çdo akt tjetër normativ, qeveria po alokon një fond shtesë në shumë e 1.4 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale. 400 milionë lekë shkojnë për spitalet, në shërbim të situatës Covid-19 1 Miliard lekë nga kjo shtesë do të shkojë për skemën e Ndihmës Ekonomike dhe Paaftësisë. Më konkretisht: • Pagesa e PAK, rreth 816 milionë lekë për 169 mijë e 530 individë të përfshira në këtë skemë • Pagesa e NE, rreth 184 milionë lekë për rreth 69 mijë e 371 familje në të gjithë Shqipërinë.
Ky Akt Normativ njëkohësisht parashikon edhe një mbështetje shtesë për infrastrukturën dhe energjinë dhe konkretisht për të mbështetur reformën e ujit, e cila vazhdon dhe mbetet një prioritet qeverisë Rama, edhe në fund të këtij viti, sikurse edhe në aktet e tjera normative, të cilat e kanë çuar shumën për mbështetjen e kësaj reforme nga 4.5 miliardë lekë në 8.5 miliardë lekë në fund të këtij viti. Në Aktin Normativ të fundit, shkon 2.9 miliardë lekë pagesa për rreth 30 projekte, të cilat kanë avancuar me punimet që zbatohen nga agjencitë përkatëse dhe bashkitë me fondet e buxhetit të shtetit. Sigurisht reforma e mbështetjes me furnizimin me ujë të gjithë zonave në të gjithë Shqipërinë është një prioritet, një projekt i cili ka qenë fokus, siç ju thashë edhe më parë dhe do të jetë edhe në vijim dhe për vitin 2020 kanë përfituar 51 qendra urbane dhe 500 fshatra, pjesë e zbatimit të kësaj strategjie.
Për të asistuar sektorin, Qeveria Shqiptare ka parashikuar gjithashtu shtesën e fondeve në masën 420 milionë lekë për subvencionin e ndërmarrjeve ujësjellës-kanalizime. Gjithashtu alokojmë, 200 milionë lekë për shpenzime shpronësimi dhe shlyerje e detyrimeve në sektorin e infrastrukturës. Jo më pak e rëndësishme në alokimet e buxhetit të vitit 2020 është edhe një shtesë në masën e 673 milionë lekë për mbarëvajtjen e plotë të zgjedhjeve të vitit 2021: • në dy projekte prioritare të KQZ, përkatësisht: o “Projektin e Identifikimit Elektronik te Zgjedhësve” dhe o “Projektin pilot te Votimit dhe Numërimit Elektronik”. Arsimi-Ky Akt Normativ, nuk e ka lënë pas dore as Arsimin, ku Qeveria po alokon fondin shtesë prej 100 milionë lekë, ne programin e kërkimit shkencor për Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve. Ky akt normativ i fundit i këtij viti lidhet me nevojën dhe emergjencën për të qenë sa më pranë qytetarëve. Ky është akti i katërt normativ dhe dua t’ju kujtoj përsëri se, është viti ku numri i akteve normative më i madhi dhe më i ,,, në të gjithë vitet e buxhetit të shtetit, edhe pse është e kuptueshme, unë nuk do të rrija pa përmendur nevojën për të sjellë 4 akte normative këtë vit. Dua të kthej pak vëmendjen në dy aktet e para normative dhe atë të marsit dhe atë të muajit maj ku nevoja për të përballuar me mbështetje me dy paketa, paketën e parë dhe atë të dytë mbi 300.000 individë ka qenë një nevojë e menjëhershme, e cila na çoi edhe në shkurtimin e shumë shpenzimeve përfshirë edhe shpenzimet e vendosura në projektbuxhetin e këtij viti për PPP-të. Është e nevojshme të sqarojmë për të gjithë që, ulja e fondit të akorduar në fillim të vitit për këto projekte me gati 4.5 miliardë lekë në aktet normative të para, mundësoi dhe pagesat e menjëhershme për individët.
Së dyti, jo më pak i rëndësishëm është Akti Normativ i muajit korrik. Një akt normativ, i cili jo vetëm reduktoi në mënyrë të dukshme të ardhurat të cilat erdhën dhe si rezultat i shikimeve më realiste për të ardhurat të parashikuara në fund të vitit në të cilin një pjesë e rëndësishme e këtyre të ardhurave, gati 19.1 miliardë lekë janë të ardhura që i mungojnë buxhetit të shtetit dhe si rezultat i shtyrjes së disa nga takimeve për biznesin. E rëndësishme dhe në fokus ka qenë vëmendja ndaj projektit më madhor të qeverisë, përtej përballimit të situatës së pandemisë, atij të rindërtimit. Nëse i referohemi projektbuxhetit të vitit 2020 në fillim të tij ne kemi pasur një fond të alokuar prej 20 miliardë lekë i cili shkoi në masën e 34 miliardë lekë por mbështetja buxhetore ishte ajo që pësoi ndryshime më të mëdha, nga 13 miliardë lekë në 31 miliardë lekë dhe dua të theksoj që kjo mbështetje do të vijojë dhe në vitet në vazhdim me 28 miliardë lekë të akorduara në vitin 2021 dhe të kujtojë se është një detyrim i qeverisë shqiptare për të kthyer të gjithë individët në familjet e tyre dhe është një fond i trashëgueshëm. Ky fond që sot nuk ezaurohet kalon edhe për vitet në vijim, duke synuar që në tre vitet 2020-2022 mbështetja buxhetore me 65 miliardë lekë të akorduara për fondet e rindërtimit të jetë një realitet, por dhe procedurat që janë duke u ndjekur në vijim të mundësojnë këtë sa më shpejt.
Edhe një herë dua të theksoj që mbështetja për shëndetësinë është një mbështetje e vazhdueshme. Ajo shkon për spitalet, qendrat shëndetësore por njëkohësisht edhe për mbështetjen sociale. Jo më pak është vëmendja që do t’i jepet në vitin 2021 ndryshimeve në projektbuxhetin e diskutuar në komisione përpara aprovimit në Kuvend. Ne akorduam një fond shtesë me 2.5 miliardë lekë për ndihmë ekonomike dhe pikërisht për të ardhur në ndihmë dhe për të rritur masën e përfitimit për të gjithë personat që janë në këtë kategori duke synuar jo vetëm mbështetje për 66,000 përfitues me ndihmë ekonomike, por njëkohësisht dhe rritjen e shumës së tyre.
Dua të shpreh këtu falënderimin e punës së bërë nga të gjithë institucionet edhe pse ka qenë një vit i vështirë për të gjithë. Dua të theksoj për të gjithë ju se parametrat makro-fiskal nuk ndryshojnë në parashikimet e fundvitit, si në raport me deficitin, ashtu edhe me borxhin. Qeveria shqiptare, kryeministri Rama është i fokusuar jo vetëm në mbështetjen si rezultat i vështirësive që na kanë ardhur këtë vit më shumë ndoshta se vendet e tjera, por njëkohësisht dhe në kthimin e financave publike në konsolidim fiskal duke projektuar në vitet e ardhshme ulje të këtyre parametrave në nivelin zbritës, por mbi të gjitha duke siguruar në ligjin organik të buxhetit rimarrje të bilanci pozitive në vitin 2023.
Faleminderit!