Sezoni i dimrit, bashkë me temperaturat e ulëta, sjell reshje dëbore dhe ngrica, kjo veçanërisht në zonat malore, çka krijon probleme në qarkullimin e mjeteve. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur tashmë zbatimin e planit të masave për mirëmbajtjen dimërore të akseve rrugore, për të garantuar një qarkullim pa probleme dhe të sigurt të automjeteve në të gjitha segmentet rrugore në vend gjatë stinës së dimrit.

Plani i masave përfshin angazhimin e afro 500 mjeteve, borëpastruese dhe mjetet të tjera të rënda, ndërsa janë rezervuar afro 5 mijë tonë kripë që do të hidhen në rrugë, për të eliminuar ngricat si dhe afro 1200 punonjës, të cilët janë në gatishmëri në të gjithë vendin. Që prej datës 15 nëntor janë ngritur shtabet e emergjencës në drejtoritë rajonale dhe atë qendrore ku raportohet gjatë 24 orëve lidhur me problematikat dhe situatën në akset rrugore.

Zëvendësdrejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erion Koka në një intervistë për ATSH-në bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat për mbajtjen e akseve rrugore nën kontroll.

Koka tha se janë evidentuar pikat problematike dhe janë marrë masat edhe nga kompanitë kontraktore.

Koka siguroi se Autoriteti Rrugor Shqiptar do të mbikëqyrë në mënyrë rigoroze punën e kompanive kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve.

Tashmë kanë nisur edhe reshjet e para të borës në zonat verilindore dhe juglindore.

Koka tha se investimet e kryera në të gjitha akset rrugore në vend e bëjnë më të lehtë edhe procesin e mirëmbajtjes së rrugëve.

Ai u bëri apel qytetarëve që kur ata të zgjedhin të vizitojnë zonat turistike malore duhet të përdorin goma dimërore si dhe të pajisen me zinxhirë.