SHBA ka miratuar si vaksinë të dytë për përdorim Modernan, pas asaj të Pfizer disa javë më parë. Moderna është aprovuar nga qeveria amerikane si vaksina e dytë e vendit Covid-19, as aprovimit të FDA-së duke hapur rrugën për miliona doza për t’u shpërndarë për vaksinimin e popullsisë.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) autorizoi vaksinën e dytë në SHBA rreth një javë pasi miratoi një vaksinë Pfizer / BioNTech e cila është duke u shpërndarë dhe aplikuar. SHBA ka rënë dakord të blejë 200 milionë doza Moderna dhe 6 milionë doza janë gati të shpërndahen duke filluar që këtë fundjavë.
SHBA ka numrin më të lartë në botë të vdekjeve dhe rasteve nga Covid-19. Ajo ka regjistruar më shumë se 313,500 vdekje dhe rreth 17.5 milion infeksione, sipas Universitetit Johns Hopkins. Komisioneri i FDA Stephen Hahn tha se miratimi emergjent i vaksinës Moderna shënoi “një hap tjetër thelbësor në luftën kundër kësaj pandemie globale që po shkakton një numër të madh të shtrimeve në spital dhe vdekjeve në Shtetet e Bashkuara çdo ditë”.
Autorizimi erdhi pasi një panel këshillimor i FDA të enjten votoi 20-0 për të përdorur vaksinën Moderna për moshën 18 vjeç e lart. Vendimi i entit rregullator bazohet në rezultatet një studimi me 30,000 vullnetarë që tregoi se vaksina është thuajse 95% e suksesshme në parandalimin e sëmundjes pa shkaktuar probleme anësore serioze.
Vendimi pason autorizimin për vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech që ka filluar tashmë të shpërndahet, ndërkohë që janë vaksinuar një numër punonjësish të shëndetësisë në shkallë vendi. Vaksina e Modernas pritet të përdoret në zona më të largëta, si në spitale rurale, ku është më e vështirë të dërgohet vaksina e Pfizer/BioNTech-ut që kërkon të ruhet në temperature tepër të ulëta. (Shqiptarja.com)