Nga Lucia Nadin*

KOZETA, RRUGA

Shtëpia ime në Tiranë, në janar të vitit 1995, ishte në rrugën “Myslym Shyri”, vetëm 200 metra nga shtëpia e Kozetës. Kozetën e kisha njohur që në ditët e mia të para të punës në universitet.

E saja, ishte nga shtëpitë e para shqiptare që më mikpritën: kujtoj prindërit e saj në moshë, diskretë dhe të përzemërt: ai dimër ishte një stuhi familjarizimi, atje fillova të kuptoj kuptimin e thellë të mikpritjes së vërtetë të Shqipërisë. Atje gjeta orientimet e para sesi të sillesha në jetën e përditshme të lagjes, orientimet e para, të vogla, por të rëndësishme, sesi të sillesha në përditshmëri. Në atë Rrugë nuk isha kurrë vetëm. Kisha, në rast nevoje, referimin e sigurt të shtëpisë së Kozetës.

Disa vite më parë, në 2017-ën, gjatë një rikthimi në Tiranë, pata dëshirën të shkoja sërish në rrugën “Myslym Shyri”. Doja të shihja ato vende plot me kujtime, nga kishte nisur përvoja ime e jetës në Shqipëri. Me zhgënjim dhe me trishtim, ecja pa orientim mes ndërtimeve kaotike në një mjedis urban që nuk e njihja më, që nuk më jepte asnjë pikë emocioni, ashtu si indianët e çorientuar dhe të përhumbur kur u zhvendosën tendat e fshatit të tyre. U ktheva sërish në rrugën kryesore, kërkova shtëpinë e Kozetës, dhe e gjeta, atje, një port pasi kisha humbur në një labirint ekstraniteti. Faleminderit Kozeta që ke qenë një dritë në rrugën “Myslym Shyri”, dje një rrugë reale, sot rrugë e zemrës.

KOZETA, AMBASADORE E KULTURËS

Në të gjitha nismat e Institutit Italian të Kulturës dhe të Zyrës së Kulturës të Ambasadës, Kozeta ishte gjithnjë e pranishme, me inteligjencë, me ngrohtësi, me bujari dhe entuziazëm. E donte gjithçka që e kish lidhur me Italinë, vendin ku kishte studiuar dhe gjuhën e të cilit e jepte mësim.

Dhe në shumë momente të vështira të viteve ’90, dhe në vitin dramatik 1997, nuk kërkoi kurrë favore, nuk përfitoi kurrë nga miqësia për të kërkuar diçka për veten e saj; jo, nuk donte të largohej, e donte Vendin e saj dhe nuk do të kishte dashur ta braktiste.

E kuptoi shpejt, me atë shqisën e saj të gjashtë, që nuk isha gjendur shumë shpejt në sintoni me Shqipërinë e saj, ku nuk doja të eksportoja kulturën italiane, doja të hyja në historinë dhe kulturën shqiptare, të cilën e njihja pak. Më bëri të njoh vende, ceremoni, tradita, ushqime tradicionale. Më dhuroi një ditë një fotokopje të “Pallatit të ëndrrave” të Kadaresë të përkthyer në italisht, me një shënim të gjatë me Post Scriptum: Ky vend nuk do të të harrojë ty, e ndiej. Pikërisht ndjesia e saj.

Në çdo kontribut timin studimor dhe kërkimor që kam bërë gjatë viteve, dhe pas largimit nga Shqipëria, në një konferencë, në një prezantim libri, në një event kulturor në Tiranë, ajo ishte gjithnjë: vinte shpesh vetëm, ndoshta dhe në minutë të fundit, shfaqej papritur me një tufë lulesh në duar, me buzëqeshjen e saj të madhe, gjithnjë mirënjohëse për atë që po i jepja Vendit të saj, entuziaste për atë metabolizëm historie të ndërthurur mes Venecias dhe Shqipërisë, të cilit i kthente pas memorie, dije e madje edhe krenari. Kishim menduar të nisnim një projekt azhurnimi për mësuesit e shkollave duke marrë shtysë nga Statutet e Shkodrës. Faleminderit Kozeta për dashurinë që ke kultivuar gjithnjë për kulturën italiane.

Koseta, empati NJERËZORE

Kushdo që e ka njohur – jam e bindur – ka pasur prej saj një mal me dashuri njerëzore dhe vëmendjeje, kujdesi. Ishte gjithnjë plot dritë, i jepte ngjyrë çdo takimi me surpriza dhe gjetje të çdo lloji. Por, kujdes, drita e saj nuk ishte sipërfaqësore, sepse, përshkohej sidoqoftë nga një sfumaturë e lehtë e një melankolie të fshehur – nëse dije ta pikasje -, ajo që vjen nga përballimi i jetës më ndërgjegje dhe kthjelltësi.

Mësova të mos i shprehja interes për çfarëdolloj objekti, pasi pas disa ditësh po ai objekt do të më vinte i paketuar. Dhe me kohë, mësova të përmbahem teksa vlerësoja komoditetin e veshjeve të saj që kur një fustan të gjerë dhe të kuq, njësoj si të vetin, ma solli në një kafe kur kishim shkuar bashkë; më bëri ta vesh mbi fustanin tim për të më parë sesi më rrinte: e çfarë rëndësie kishte nëse njerëzit na shihnin të habitur? Ishte një sjellje e bukur, e pastër, në liri dhe lirshmëri të plotë. Do të mund të tregoja dhe më gjatë, por më vjen ndërmend një gjest i Kozetës që do të më mbesë i paharruar.

Bashkë me disa mike të dashura shqiptare, kishte ardhur të më takonte në Venecie: jo më larg se 4 vjet më parë. Kur më pa nga larg, pas Kampo dei Frari, Kozeta erdhi drejt meje, si një fëmijë që vrapon drejt dikujt që do ta përqafojë dhe nga i cili do që të përqafohet. Ishte aftësia e saj e rrallë që të ishte e rritur dhe fëmijë, dhe të shfaqte çdolloj ndjenje. Faleminderit Kozeta, që më mbështolle edhe mua, si në një fshikëz të krimbit të mëndafshit, me humanizmin tënd.

Kozeta, PËRTEJ Kozetës

Ti më falenderoje për nderin, më thoshe, që i bëja Shqipërisë.

Sot jam unë ajo që të falenderoj ty për dashurinë që me mijëra mënyra ke treguar për Italinë. Dhe të falenderoj sërish sepse ke ditur të më përcjellësh dhe mua, ashtu si shumë të tjerëve, ngazëllimin inteligjent për çdo nismë që mund të shkruante diçka për të ardhmen.

Të falenderoj sepse ke qenë pjesë e atyre miqve shqiptarë që u dhanë kuptim ditëve të mia të kaluara në arkiva dhe biblioteka në kërkim të historisë për t’ia rikthyer Vendit tënd. Miq që i kam takuar në Shqipëri në ato vite të largëta ’90, plot me probleme dhe vështirësi materiale, por plot shpresa dhe utopi, që kanë jetuar gjithnjë me intensitet dhe ndershmëri. Faleminderit Kozeta për bukën dhe kripën e mendjes dhe të zemrës që më ke dhënë./dritare.net

*Lucia Nadin ka kaluar në Shqipëri një periudhë të gjatë mësimdhënieje dhe pune kërkimore. Ka përgatitur botimin e “Statuteve të Shkodrës” duke nxjerrë në dritë tekstin nga Biblioteka e Muzeut të Venecies: Një monument i historisë mesjetare të Shqipërisë.