Drejtoria e Përgjithshme Detare ka njoftuar të gjithë autoritetet detare për përkeqësimin e kushteve të motit gjatë ditëve në vijim.
Në njoftim për mediat, Drejtoria e Përgjithshme Detare bën të ditur se prej datës 27-30 dhjetor vendi ynë do të karakterizohet nga reshjet e shiut dhe me erë të fortë në bregdet.
“Bregdeti ynë do të përfshihet nga era me drejtim jug dhe jug -perëndim me shpejtësi që varion nga 10-20m/s dhe forca e detit do të variojë nga 5-8 shkalla bufort, kurse lartësia e dallgës do të jetë 1.50 -2.50 m. Moti i përkeqësuar do të shtrihet në gjithë bregdetin tone”, thuhet në njoftim.
Drejtoria Detare i bën thirrje të gjithë subjekteve në fushën e lundrimeve që marrin të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port.
“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”, apelon Drejtoria e Detare.